Këtë të enjte zhvillohet online samiti i “Koalicionit të Vullnetarëve”, ku rreth 30 vende diskutojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe propozimin e ri që presidenti Zelensky i ka dërguar SHBA-ve.
Zelensky ka zhvilluar biseda telefonike me zyrtarë amerikanë dhe drejtues të fondeve të mëdha mbi rindërtimin e vendit, ndërsa Trump ka pasur një komunikim të tensionuar me liderët evropianë, duke e cilësuar Ukrainën si të korruptuar dhe duke i kërkuar Kievit të jetë “realist”.
Sipas burimeve diplomatike, SHBA po shtyn që Ukraina të heqë dorë edhe nga pjesë të Donbasit, ndërsa Kanadaja dhe BE e nxisin Zelensky-n të shqyrtojë opsionet në këmbim të garancive të forta sigurie, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s.
Në nivel evropian, po shqyrtohet ideja që Ukraina të anëtarësohet në BE në vitin 2027, edhe pse kjo datë nuk është diskutuar zyrtarisht dhe konsiderohet tepër optimiste. Ndërkohë, po debatohet edhe përdorimi i 185 miliardë eurove të rezervave të ngrira ruse në Belgjikë. Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, mbështet një formulë që i trajton ato si “huaje riparimi”, por Belgjika paralajmëron se mund të shkojë në Gjykatën e BE-së nëse asetet sekuestrohen.
Nga ana tjetër, Moska vijon bombardimet dhe akuzon Evropën se po saboton paqen, ndërsa Lavrov thotë se vetëm Trump e kupton “shkakun e vërtetë të konfliktit”, duke paralajmëruar se Rusia do t’i përgjigjet çdo veprimi armiqësor nga BE.
© SYRI.net