SHBA shtrëngon filtrat për vizitorët e huaj/ Do të kontrollohen rrjetet sociale të 5 viteve të fundit për hyrjen në vend

SHBA shtrëngon filtrat për vizitorët e huaj/ Do të kontrollohen rrjetet sociale të 5 viteve të fundit për hyrjen në vend

14:00, 10/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Administrata e presidentit Donald Trump po përgatit masa të reja për ashpërsimin e kontrolleve ndaj shtetasve të huaj që synojnë të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara. Sipas këtyre ndryshimeve, aplikantët pritet t’i nënshtrohen verifikimit të aktivitetit të tyre në rrjetet sociale për pesë vitet e fundit, si kusht për të marrë lejen e hyrjes në vend.

Propozimi i fundit, i paraqitur nga Shërbimi Amerikan i Doganave dhe Kufirit (CBP), parashikon që rregullat e reja të zbatohen për të gjithë personat që kërkojnë autorizim elektronik udhëtimi (ETA), i cili u lejon qytetarëve të 42 shteteve të qëndrojnë në SHBA deri në 90 ditë pa vizë.

Burime zyrtare bëjnë me dije se këto ndryshime mund të hyjnë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, në një moment kur SHBA pritet të përballet me një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve për shkak të organizimit të ndeshjeve të Kupës së Botës në futboll.

Deri më tani, aplikimi për këtë program kërkonte të dhëna bazë si adresa e banimit, numri i telefonit, email-i, një kontakt emergjence dhe pagesën e një tarife prej 40 dollarësh. Me rregullat e reja, kërkesat do të zgjerohet ndjeshëm: aplikantëve do t’u kërkohet të deklarojnë të gjithë numrat e telefonit personalë dhe të biznesit të përdorur gjatë pesë viteve të fundit, adresat e email-it të përdorura në dhjetëvjeçarin e fundit, si dhe informacione të detajuara për anëtarët e familjes së ngushtë, përfshirë të dhëna personale dhe adresat e tyre.

Pjesë e procesit do të jetë edhe një kontroll i thelluar i aktivitetit online. Kjo praktikë është aplikuar më herët për mbajtësit e vizës H-1B dhe familjarët e tyre, si dhe për studentë, akademikë, studiues dhe pjesëmarrës në programe shkëmbimi kulturor apo arsimor.

Sipas udhëzimeve të Departamentit të Shtetit, autoritetet duhet të identifikojnë çdo shenjë që mund të konsiderohet armiqësi ndaj SHBA-së, institucioneve të saj apo vlerave themelore, si edhe përmbajtje që lidhet me terrorizmin, kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare apo veprimtari antisemitike të jashtëligjshme.

Ndërkohë, që prej 1 tetorit, administrata amerikane ka vendosur edhe një tarifë shtesë prej 250 dollarësh për aplikantët nga disa vende që nuk përfshihen në programin e heqjes së vizave, përfshirë Brazilin, Kinën, Indinë dhe Meksikën.

Ndryshimet kanë nxitur reagime të forta: kundërshtarët i cilësojnë si një rritje të tepruar të mbikëqyrjes dhe ndërhyrje në privatësi, ndërsa mbështetësit theksojnë se masat janë të domosdoshme për garantimin e sigurisë kombëtare. Në çdo rast, udhëtarët që synojnë SHBA-në duhet të përgatiten për procedura më të gjata dhe kontrolle më të detajuara përpara marrjes së miratimit për hyrje në vend.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco