Përqafimet e ngrohta dhe fjalët e mira të Europës nuk do e shpëtojnë Zelensky-n

Përqafimet e ngrohta dhe fjalët e mira të Europës nuk do e shpëtojnë Zelensky-n

11:16, 10/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Owen Matthews, SPECTATOR

Sikur përqafimet e fuqishme të ishin batalione ushtrie, dhe fjalët e guximshme të ishin euro në para të thata, Volodymyr Zelensky do ta kishte përfunduar këtë javë turin e tij në kryeqytetet evropiane si udhëheqësi më i armatosur dhe më i financuar në botë.

“Ne qëndrojmë me Ukrainën,” u zotua Sir Keir Starmer pasi organizoi një samit për Zelenskyn dhe aleatët kryesorë evropianë në ‘Downing Street’ të hënën. “Ne ju mbështesim në konflikt dhe ju mbështesim në negociata për t’u siguruar që kjo të jetë një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme”.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi se “askush nuk duhet të dyshojë në mbështetjen tonë për Ukrainën” dhe shtoi se “fati i këtij vendi është fati i Evropës”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, premtoi se Evropa ka “shumë letra në dorë”.

Zelensky shkoi nga Londra në Romë dje, ku mbështetësja e tij e palëkundur Giorgia Meloni i ofroi përqafime të tjera, ndërsa Papa Leo i dha bekimin e tij.

Pa dyshim, Ukraina gëzon mbështetjen e sinqertë të Evropës në përpjekjen e saj për t’i rezistuar pushtimit rus. Dhe kjo nuk është pak. Por në praktikë, çfarë ka arritur realisht turi i fundit i Zelensky-t për të siguruar mbështetje?

Papa nuk komandon batalione ushtarake, siç deklaroi dikur Stalini.

Meloni, së fundmi, shtyu një votim qeveritar për financime të tjera ushtarake për Ukrainën, ndërsa bisedimet e paqes janë në zhvillim.

Macron refuzoi javën e kaluar të zbulojë detaje mbi 18 miliardë euro (16 miliardë paund) të aseteve të Bankës Qendrore Ruse të bllokuara në Francë, duke u mbështetur në sekretin bankar.

Merz ka qenë një mbështetës i zëshëm i një “huaje reparacionesh” për Kievin, të garantuar nga asetet ruse të ngrira në Belgjikë – por ka këmbëngulur gjithashtu që një pjesë e madhe e atyre parave të shpenzohet për armatime të shtrenjta gjermane.

Plani i Starmer për të vendosur trupa britanike në Ukrainë, si pjesë e një force sigurie pas luftës, nuk është realisht në axhendën e askujt.

Sa i përket vendeve të tjera evropiane që nuk ishin të pranishme në takimin e Londrës, Hungaria sapo ka bërë një marrëveshje për të vazhduar importin e gazit rus përmes Turqisë, në kundërshtim me një ndalim evropian që është shtyrë prej kohësh; ministri i Jashtëm Peter Szijjarto ndodhet në Moskë për bisedime me homologun e tij rus.

Japonia, një tjetër aleate e supozuar, ka refuzuar gjithashtu të mbështesë huanë evropiane të reparacioneve.

Megjithatë, është bërë njëfarë përparimi konkret lidhur me planin e paqes të Donald Trump, tashmë i redaktuar rëndë dhe i reduktuar nga 28 pikat origjinale. Evropa dhe Ukraina janë më afër një qëndrimi të përbashkët – pika qendrore e të cilit është këmbëngulja e Zelensky-t se Ukraina nuk mund dhe nuk do t’i dorëzojë më shumë territor Putinit.

Sipas të dërguarit në largim të Trump për Ukrainën, gjeneralit Keith Kellogg, dy çështjet kryesore që ndodhen në “dhjetë metrat e fundit” drejt një marrëveshjeje lidhen me territorin – kryesisht të ardhmen e Donbasit – dhe me atë se kush e kontrollon centralin bërthamor të Zaporizhjës, më i madhi në Evropë, aktualisht nën pushtim rus. Kellogg ka të ngjarë ta thjeshtojë tepër situatën, pasi lista e kërkesave të Putinit përfshin gjithashtu ulje të forta të madhësisë së ushtrisë ukrainase, neutralitet kushtetues, njohje de jure të tokave të pushtuara si pjesë e Rusisë dhe kufizime mbi llojin e garancive të sigurisë jo-NATO që aleatët perëndimorë i ofrojnë Kievit. Por këmbëngulja e Kremlinit për të kontrolluar 20 përqindëshin e fundit të rajonit të Donjeckut, që deri tani nuk ka arritur ta pushtojë, po shfaqet si pengesë vendimtare për një marrëveshje.

Shtëpia e Bardhë, e etur për të arritur një marrëveshje me sa duket me çdo kusht, raportohet se po e nxit Zelensky-n dhe Evropën të pranojnë kërkesën e Putinit për tërheqjen e Ukrainës. Por, siç e di shumë mirë Zelensky, një kapitullim i tillë do të provokonte zemërim të ashpër mes nacionalistëve radikalë që aktualisht kontrollojnë segmente të rëndësishme të forcave ukrainase në vijën e frontit. Edhe sikur Zelensky të urdhëronte një tërheqje, është plotësisht e mundur që këto njësi të refuzojnë ta zbatojnë urdhrin. Nacionalistët radikalë, si Brigada Azov, e kanë kërcënuar më parë Zelensky-n me vdekje nëse ai bën një marrëveshje me Rusinë – më famëkeqja në tetor 2019, kur ishte planifikuar një referendum për statusin e ardhshëm të republikave rebele të Donbasit. Ashtu si Traktati Anglo-Irlandez i vitit 1921 që e zhyti Irlandën në luftë civile mes forcave pro dhe kundër traktatit, Zelensky përballet me rrezikun se lëshimet e tepërta ndaj Putinit do ta bënin Ukrainën të paqeverisshme.

Zbatimi i planit të Trump – dhe të Putinit – do të kërkonte gjithashtu ose evakuimin masiv të qindra mijëra qytetarëve ukrainas nga qytetet Sloviansk, Kramatorsk dhe Konstantinovka, ose braktisjen e tyre ndaj tmerreve të mirë-dokumentuara të pushtimit rus. Dorëzimi i pjesës së mbetur të Donbasit do të kërkonte gjithashtu braktisjen e të ashtuquajturit “rrip fortese” me llogore dhe pengesa tankesh që Ukraina ka ndërtuar në lindje të Donjeckut, duke e lënë Kievin pa mbrojtje natyrore përveç lumit Dnipro.

Në të vërtetë, kërkesa e Kremlinit është aq poshtëruese dhe pothuajse e pamundur për t’u zbatuar, sa ka të ngjarë që Putini të këmbëngulë tek ajo për të mbuluar refuzimin e tij për të bërë paqe, ndërsa i shtiret Trump-it se po negocion.

Zelensky është tradhtuar me fjalë nga aleatët e dikurshëm në Uashington, dhe tradhtuar në vepra nga miqtë e tij evropianë, të cilët pavarësisht retorikës së tyre, deri tani nuk janë në gjendje t’i sigurojnë paratë dhe armët që i nevojiten Ukrainës. Ndërkohë, besueshmëria e Zelenskyt në vend po gërryhet nga një skandal i rëndë korrupsioni që ka përfshirë disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt në një skemë përfitimi nga lufta prej 100 milionë dollarësh (75 milionë paund). Trump – i cili më herët këtë vit e quajti Zelensky-n “diktator” – këtë javë ka kërkuar zgjedhje të reja në Ukrainë, duke e dobësuar më tej pozicionin e tij.

Zelensky ndodhet përballë një dileme të pamundur. Pranimi i planit amerikan të paqes për të braktisur Donbasin do të çonte në një krizë politike dhe ushtarake në Kiev. Kjo i lë atij pak zgjedhje tjetër veçse të sfidojë si Trump-in, ashtu edhe Putinin. Por edhe sikur aleatët e tij evropianë të gjenin më shumë para për të financuar përpjekjet e vazhdueshme luftarake të Kievit, ekziston një mungesë katastrofike e të rinjve ukrainas të gatshëm për të luftuar. Siç tha senatori John Kerry në një seance të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit gjatë luftës së Vietnamit në prill 1971: “Askush nuk dëshiron të jetë njeriu i fundit që vdes për një gabim”.

Prokurorët kanë hapur një numër tronditës prej 235 mijë çështjesh penale për dezertim nga ushtria ukrainase që nga fillimi i luftës – përfshirë 176 mijë raste mungese pa leje që nga nëntori 2024. Kjo do të thotë se ka më shumë ushtarë në arrati nga ushtria ukrainase sesa aktualisht shërbejnë së bashku në ushtritë e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë.

Ndërkohë, forcat ruse arritën një pikë të zymtë në luftën e tyre të pandërprerë me raketa dhe dronë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës javën e kaluar, duke e lënë kryeqytetin rajonal Sumy plotësisht pa energji elektrike për një ditë të tërë. Edhe Kievi së shpejti mund të përballet me ndërprerje prej 16 orësh, kanë paralajmëruar autoritetet.

Në këtë situatë tejet të vështirë, Zelensky ka nevojë për të gjithë miqtë që mund të ketë. Por, në thelb, ai nuk ka nevojë vetëm për miqësi, por për ndihmë praktike – para dhe armë. Por mbështetja për Ukrainën nuk mjafton. Fronti më vendimtar i fazës përfundimtare të luftës është beteja për ta bindur Putinin se kostoja e vazhdimit të luftës tejkalon përfitimet e saj. Rritja graduale e sanksioneve mund të jetë duke shtrënguar ekonominë ruse të luftës, por është ende shumë larg shkatërrimit të saj. Dhe kështu, në mungesë të një strategjie reale detyrimi, gjithçka që Evropa mund t’i ofrojë Zelensky-t janë fjalë të mira dhe përqafime simbolike.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco