Tronditëse në Indonezi, merr flakë ndërtesa, raportohen 22 të vdekur

Tronditëse në Indonezi, merr flakë ndërtesa, raportohen 22 të vdekur

19:56, 09/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një shpërthim i dyshuar i baterisë së një droni ka shkaktuar një zjarr të madh në një ndërtesë 7-katëshe zyrash në kryeqytetin indonezian, Xhakarta, duke rezultuar me të paktën 22 persona të vdekur, përfshirë 15 gra, raportuan mediat lokale të martën.

Sipas shefit të policisë së Xhakartës Qendrore, Susatyo Purnomo Condro, trupat e të gjitha viktimave janë nxjerrë nga ndërtesa dhe janë 15 gra dhe 7 burra. Ai theksoi se shumica e viktimave ishin bllokuar brenda ndërtesës, në momentin që shpërtheu zjarri.

Autoritetet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet në ndërtesë, me përqendrim të veçantë në katin e gjashtë, ku qasja mbetet e vështirë dhe rreziku për të gjetur viktima të tjera ende ekziston.

Sipas raportimeve nga agjencia japoneze Kyodo, ndërtesa e përfshirë nga zjarri, ka shërbyer si zyrë e një dege lokale të kompanisë japoneze Terra Drone Corp., e cila operon në sektorin e matjeve, bujqësisë dhe shërbimeve të tjera me dronë në Azinë Juglindore.

Gazeta lokale Jakarta Globe raportoi se shpërthimi fillestar i baterisë së dronit përshpejtoi përhapjen e flakëve në të gjithë ndërtesën. Shumë punonjës u përpoqën të shpëtonin duke u ngjitur në çati, ndërsa ekipet e emergjencës ndërhynë për t’i evakuuar.

Autoritetet kanë njoftuar se një hetim i plotë mjeko-ligjor do të nisë sapo zjarri të vihet nën kontroll, për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit dhe për të marrë masa parandaluese për të ardhmen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco