Shtetet anëtare të BE-së do të lejohen të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe me vendet jo-anëtare të BE-së, për të lehtësuar deportimin e azilkërkuesve të refuzuar .
Sipas propozimit, shtetet anëtare të BE-së mund të kthejnë migrantët e parregullt në vende të treta pa lidhje me origjinën e tyre, për sa kohë që kanë marrëveshje dypalëshe në fuqi. Qendrat mund të jenë, ose vende tranziti ose vende ku një person pritet të qëndrojë.
Duke i kthyer emigrantët e paligjshëm pa të drejtë qëndrimi në BE në një vend të tretë, shtetet anëtare mund të përshpejtojnë kthimet, por kjo gjithashtu mund të rrezikojë jetën e njerëzve, pasi ata do të dërgohen përsëri në vende me të cilat nuk kanë lidhje.
Kjo dispozitë është pjesë e një ligji të ri të quajtur "rregullorja e kthimit", e hartuar për të zbatuar vlefshmërinë ligjore të urdhrave të kthimit në të gjitha shtetet anëtare, të cilat, sipas Komisionit Evropian, do të lejojnë një ekzekutim më të shpejtë të dëbimeve nga Bashkimi Evropian.
Ligji, i cili duhet të miratohet nga Parlamenti Europian përpara se të hyjë në fuqi, është pjesë e një përpjekjeje të përgjithshme për ta bërë më të vështirë hyrjen e migrantëve të parregullt në Europë, por edhe për të përshpejtuar daljen e tyre, ndërsa opinioni publik dhe shumicat e reja politike, shtyjnë për një qëndrim më të ashpër.
Qendrat e kthimit si destinacion i përkohshëm ose përfundimtar për migrantët
Natyra e secilës qendër kthimi do të varet nga marrëveshjet dypalëshe, të arritura nga shtetet anëtare të BE-së me vendet jo-anëtare të BE-së.
Qendrat mund të jenë një vend tranziti, një hap përpara se individi të kthehet në vendin e tij të origjinës, ose të bëhen një vendndodhje e përhershme, për ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BE.
Individët mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës ose edhe në vende të treta, me kusht që ata t'i përmbahen standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
"Kriteri i lidhjes tani është hequr. Kjo u lejon shteteve anëtare të krijojnë qendra kthimi ose si qendra tranziti, ku migrantët e parregullt përpunohen përpara se të dërgohen në vendet e tyre të origjinës, ose si ambiente ku një person mund të mbahet për një periudhë më të gjatë", u tha gazetarëve të hënën Ministri danez për Imigracionin dhe Integrimin, Rasmus Stoklund.
Organizatat e shoqërisë civile e kanë kritikuar krijimin e qendrave të kthimit si një praktikë çnjerëzore, që do të rrisë abuzimet dhe shkeljet e përgjithshme të të drejtave të njeriut ndaj migrantëve.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar korrikun e kaluar, ndërsa BE shqyrtoi legjislacionin e paraqitur sot, më shumë se 100 organizata - përfshirë Amnesty International, ActionAid, Caritas Europa dhe Human Rights Watch - paralajmëruan se propozimi rrezikonte ta largonte BE-në nga e drejta ndërkombëtare dhe mund të çonte në kthime të paligjshme dhe ndalime arbitrare.
Kthime më 'efektive', ndërsa BE kërkon dëbime më të shpejta
Vetëm 20% e urdhrave të kthimit zbatohen, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.
Legjislacioni i ri synon të rrisë atë numër dëbimesh, duke miratuar pasoja më të rënda ligjore nëse një i kthyer nuk bashkëpunon me autoritetet, duke i tërhequr lejet e punës dhe madje duke vendosur sanksione penale, përfshirë burgimin.
E njëjta qasje do të zbatohej edhe për vendet jo-anëtare të BE-së ,që refuzojnë të ripranojnë shtetasit e tyre, gjë që nga ana tjetër mund të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe. Këtë vit, tensionet u rritën midis Francës dhe Algjerisë, për shkak të asaj që Parisi pretendoi të ishte një numër jashtëzakonisht i ulët i riatdhesimeve, për shembull.
Njohja reciproke e vendimeve të kthimit midis shteteve anëtare është gjithashtu e përfshirë në legjislacionin e sotëm. Sipas sistemit aktual ligjor, një vendim kthimi është i detyrueshëm vetëm në vendin që e lëshon atë. Pasi të miratohet ligji i ri, ai do të jetë i vlefshëm për të gjithë BE-në./ Euronews.
© SYRI.net