Kultivimi i lulekuqes në Myanmar është rritur këtë vit në nivelin më të lartë në dhjetë vjet, duke e konsoliduar vendin si një nga furnizuesit kryesorë globalë të opiumit të paligjshëm. Të dhënat vijnë nga raporti më i fundit “Myanmar – Sondazhi i Opiumit 2025”, i publikuar të mërkurën nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC).
Sipas raportit, sipërfaqja e kultivuar me lulekuqe është rritur me 17% krahasuar me vitin 2024, duke arritur 53,100 hektarë – shifra më e lartë që nga viti 2015. Rritja vjen në një kohë kur konflikti i brendshëm politik dhe ekonomik ka shtyrë fermerët drejt burimeve të paligjshme të të ardhurave.
Çmimet e larta rrisin prodhimin
Një nga faktorët kryesorë që po nxit zgjerimin e kultivimit janë çmimet rekord të opiumit. UNODC raporton se opiumi i freskët po shitet me rreth 329 dollarë për kilogram, më shumë se dyfishi i çmimit të vitit 2019 (145 dollarë). Si rezultat, ekonomia e opiumit në Myanmar vlerësohet tani midis 641 milionë dhe 1.05 miliardë dollarësh, ose 0.9% deri në 1.4% të PBB-së së vendit për vitin 2024.
Rritja e sipërfaqes së kultivuar ka kompensuar uljen e rendimentit me 13% për shkak të luftimeve në disa zona, duke prodhuar një rritje totale prej 1% në prodhimin kombëtar të opiumit, i cili arriti në rreth 1,010 ton metrikë.
Myanmar kalon Afganistanin
Meqenëse prodhimi i opiumit në Afganistan ka rënë ndjeshëm pas ndalimit të vendosur nga talebanët në vitin 2021, Myanmar tashmë po shfaqet si burimi kryesor global i opiumit të paligjshëm. Vendi është gjithashtu identifikuar nga UNODC si prodhuesi më i madh në botë i metamfetaminës.
“Myanmari është në një pikë kritike,” tha Delphine Schanz, përfaqësuese e UNODC-së për Azinë Juglindore dhe Paqësorin. “Zgjerimi i kultivimit tregon shkallën e rimëkëmbjes së ekonomisë së opiumit dhe potencialin e rritjes së mëtejshme nëse nuk ndërhyhet.”
Tregu evropian po hapet për heroinën e Myanmarit
UNODC raporton gjithashtu se ka pasur shenja të hershme që heroina e prodhuar në Myanmar po depërton në tregjet evropiane – një treg që tradicionalisht është furnizuar nga Afganistani. Sekuestrimet e fundit që përfshijnë udhëtarë nga Azia Juglindore tregojnë për një rritje të kërkesës për të mbushur boshllëkun e krijuar nga rënia e prodhimit afgan.
Konflikti civil ushqen ekonominë e paligjshme
Kultivimi i lulekuqes është rritur me shpejtësi që prej puçit ushtarak të shkurtit 2021, i cili përmbysi qeverinë e zgjedhur të Aung San Suu Kyi dhe çoi në shpërthimin e luftës civile. Varfëria në rritje dhe pasiguria e vazhdueshme kanë bërë që shumë komunitete rurale t’i drejtohen kultivimit të opiumit për të mbijetuar.
Një punëtor i zhvendosur në shtetin Shan, i cili mbledh lëngun e lulekuqes për të siguruar të ardhura, tha se konfliktet e vazhdueshme e kanë lënë pa alternativa të tjera jetese.
Trekëndëshi i Artë mbetet vatër e prodhimit të drogës
Verilindja e Myanmarit, e njohur si pjesë e “Trekëndëshit të Artë” bashkë me Laosin dhe Tajlandën, mbetet një nga zonat më të mëdha të prodhimit të opiumit dhe heroinës në botë. Kontrolli i dobët shtetëror dhe prania e milicive të armatosura lehtësojnë lulëzimin e tregtisë së drogës.
Shanz e UNODC-së paralajmëroi se pa alternativa të qëndrueshme ekonomike, “cikli i varfërisë dhe varësia nga kultivimi i paligjshëm vetëm sa do të thellohet.”
© SYRI.net