BRUXELLES TODAY
Një çështje e re ka tronditur institucionet evropiane, dhe Italia gjendet, edhe një herë tjetër, në qendër të skandalit. Pas ‘Qatargate’ dhe çështjes ‘Huaëei’, një episod i ri mashtrimi dhe korrupsioni, të cilin hetuesit vetë e kanë quajtur “Italian job”, vë në shënjestër dy figura të rëndësishme të diplomacisë evropiane: Federica Mogherini, ish-nënkryetare e Komisionit Europian dhe rektore e Kolegjit të Evropës, si dhe Stefano Sannino, ambasador dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (SEAE).
Hetimi lidhet me mënyrën se si Kolegjit të Evropës i është dhënë një projekt i financuar me fonde europiane për krijimin e një Akademie Diplomatike Evropiane. Prokuroria Evropiane (EPPO) kërkon të zbulojë nëse janë përdorur informacione konfidenciale për t’i dhënë përparësi institucionit.
Një projekt për të formuar diplomatët e ardhshëm europianë
Sipas dokumenteve të sekuestruara nga hetuesit, Parlamenti Europian i kishte kërkuar SEAE-s të krijonte një program të përbashkët trajnimi për diplomatët europianë. Ideja ishte ngritja e një rrjeti me baza të përbashkëta, për të transmetuar një vizion të unifikuar të rolit të BE-së në botë.
Projekti pilot, i nisur në vitin 2021, mori formë në 2022. Buxheti ishte pak më shumë se një milion euro, nga të cilat rreth 700 mijë euro iu caktuan Kolegjit të Evropës. Gjashtë institucione iu përgjigjën thirrjes për ofertë, dhe kontrata, sipas dokumenteve, është dhënë mbi bazën e “raportit më të mirë cilësi–çmim”.
Roli i Stefano Sannino-s në kohën e prokurimit
Këtu përqendrohen edhe dyshimet kryesore. Sipas të dhënave të para të Prokurorisë Evropiane, Stefano Sannino, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i SEAE-së, dyshohet se e ka informuar paraprakisht Kolegjin e Evropës mbi kushtet e lidhura me thirrjen për oferta.
Një nga kriteret kryesore ishte disponueshmëria e një godine për të strehuar diplomatët gjatë trajnimit. Por, Kolegji kishte blerë një ndërtesë në Bryzh për 3,2 milionë euro, disa muaj para shpalljes zyrtare të thirrjes. Një investim i madh, sidomos duke pasur parasysh që institucioni po përballej me vështirësi financiare.
Hetuesit dyshojnë se kjo blerje ka qenë e mundur falë informacioneve konfidenciale të marra paraprakisht, duke i dhënë Kolegjit një avantazh të madh ndaj kandidatëve të tjerë.
Lidhjet mes Mogherini-t dhe Sannino-s
Në atë periudhë, Kolegji i Evropës drejtohej nga Federica Mogherini, e cila konsiderohet e afërt me Sannino-n në rrethet diplomatike. Prokurorët evropianë po hetojnë nëse drejtuesit e Kolegjit mund të kenë pasur qasje të privilegjuar në të dhëna të ndjeshme lidhur me njoftimin për oferta.
Ndërtesa e blerë në Bryzh sot përdoret për të strehuar pjesëmarrësit e programit. Dhe projekti, fillimisht pilot, është bërë i përhershëm: në vitin 2024, Komisioni Evropian nënshkroi një marrëveshje me Kolegjin dhe me Mogherini-n, e cila drejton gjithashtu trajnimin, për periudhën 2024–2028. Buxheti vjetor i programit është rreth 700 mijë euro.
Hetimet vazhdojnë
Për momentin, çështja mbetet e paqartë. Por hetuesit belgë, të pyetur nga kolegët e tyre italianë, e quajnë tashmë “Italian job” – një shprehje që të kujton një mashtrim apo grabitje “all’italiana”, duke iu referuar filmave me të njëjtin emër të vitit 1969.
Hetimet e Prokurorisë Evropiane pritet të vazhdojnë në orët në vijim.
© SYRI.net