Nato: Sulmet parandaluese kundër Rusisë mund të konsiderohen veprim mbrojtës

Nato: Sulmet parandaluese kundër Rusisë mund të konsiderohen veprim mbrojtës

12:49, 03/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nato po shqyrton masa më agresive ndaj Rusisë si përgjigje ndaj intensifikimit të luftës së saj hibride kundër Perëndimit, tha një zyrtar i lartë i aleancës.

Admiral Giuseppe Cavo Dragone, kreu i komitetit ushtarak të aleancës, deklaroi: "Të jesh më agresiv ose proaktiv e jo reaktiv është diçka që po e shqyrtojmë."

Një "sulm parandalues" mund të konsiderohej një "veprim mbrojtës", tha ai për Financial Times, por theksoi se një qasje e tillë është "më larg mënyrës sonë normale të të menduarit e të sjellit".

Moska i quajti komentet "teje të papërgjegjshme", duke akuzuar Nato-n se po sugjeron një "lëvizje drejt përshkallëzimit". Maria Zakharova, zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Rusisë, shtoi se kjo ishte një "përpjekje e qëllimshme" për të sabotuar bisedimet e paqes.

Image

Ndryshimi i propozuar në qasjen e aleancës ndaj Moskës vjen në një moment që është përshkruar si një "javë vendimtare" për bisedimet e paqes në kontinent.

Kaja Kallas, diplomatja më e lartë e BE-së, tha të hënën: "Mund të jetë një javë vendimtare për diplomacinë," por paralajmëroi se bisedimet e nesërme Rusi-SHBA rrezikojnë të vendosin "tërë presionin" mbi Ukrainën, gjë që, sipas saj, "nuk është në interes të askujt".

Rustem Umerov drejtoi ekipin ukrainas në bisedimet me sekretarin amerikan të shtetit Marco Rubio, të dërguarin kryesor të Donald Trump-it, Steve Witkoff, si dhe Jared Kushner, dhëndrin e Trumpit, të dielën.

Të dyja palët i quajtën bisedimet "produktive", por nuk dhanë përgjigje mbi çështjet më të debatueshme, përfshirë garancitë e sigurisë dhe mundësinë e shkëmbimeve territoriale.

Sipas burimeve, Witkoff zhvilloi një tjetër takim me negociatorin ukrainas Rustam Umerov të hënën. Ai tani është nisur drejt Moskës përpara bisedimeve me Vladimir Putinin të martën, për të dëgjuar qëndrimin e Rusisë mbi propozimin më të fundit.

Image

Ndërkohë, Volodymyr Zelensky u takua të hënën në Paris me Emmanuel Macron-in. Të dy zhvilluan gjithashtu një telefonatë me liderë europianë, përfshirë Sër Keir Starmer-in, Antonio Costa-n, kreun e Këshillit të BE-së, Ursula von der Leyen-in, kryetaren e Komisionit Europian, dhe Mark Rutte-n, sekretarin e përgjithshëm të Nato-s.

 

Bisedimet zhvillohen pas sulmeve ruse në qytetin qendror të Dnipros në Ukrainë, ku u vranë katër persona dhe u plagosën rreth 40 të tjerë.

 

Analizat tregojnë se ushtria ruse ka bërë përparimin më të madh në Ukrainë për një vit gjatë muajit nëntor, duke pushtuar 701 kilometra katrorë dhe duke kontrolluar, plotësisht ose pjesërisht, 19.3 për qind të territorit ukrainas deri në fund të muajit. / The Telegraph - Syri.net

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco