Shtetet e Bashkuara kanë ndëshkuar Serbinë, duke mos i dhënë lejen për të mbajtur në funksion rafineritë e naftës me pronarë rusë, që kanë rënë pre e sanksioneve. Në reagimin e tij, presidenti Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se kjo do të jetë një katastrofë për Serbinë.
Serbia dështoi të siguronte një leje nga Shtetet e Bashkuara për vazhdimin e funksionimit të rafinerisë së naftës në pronësi të Rusisë.
Lëvizja ka bërë që kompleksi i hidrokarbureve të ndalojë operacionet dhe të kërcënojë furnizimin e vendit me naftë, deklaroi presidenti Aleksandar Vuçiç.
Konkretisht, administrata amerikane rrëzoi kërkesën e Beogradit për të vijuar furnizimet me naftë bruto të rafinerisë Pançevo, në një kohë kur pronarët rusë kërkojnë blerës të pjesës dërrmuese të aksioneve të tyre në grupin Industrinë e Naftës të Serbisë.
“Ne prisnim të merrnim një leje nga qeveria amerikane për vazhdimin e furnizimit me naftë të rafinerisë sonë, por nuk e morëm. Jam sa i zhgënjyer, aq edhe i habitur pasi nuk e kuptoj se çfarë përfituan ata”, deklaroi Vuçiç.
Kreu i shtetit tha se Rusia nuk dëshiron ta shesë Industrinë e Naftës të Serbisë dhe theksoi se çështja është më tepër e karakterit politik sesa financiar.
“Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja nuk ka treguar vullnet se do ta kthejë vendimin e saj. por kjo është e drejta e tyre”, vijoi Vuçiç.
Qeveria serbe ka udhëzuar ndërkohë kompaninë që të pezullojë operacionet e rafinerisë për 54 ditë nga hyrja në fuqi e sanksioneve amerikane.
Banka Kombëtare e Serbisë dhe bankat tregtare të vendit mund të përballen me sanksione dytësore amerikane nëse kryejnë transaksione me Industrinë e Naftës të Serbisë.
“Kjo do të ishte një katastrofë për kuotën e investimeve dhe për çdo gjë tjetër”, vijoi Vuçiç në reagimin e tij.
© SYRI.net