Damasku dhe Uashingtoni përshëndesin një 'moment historik', Trump: Siria po shkon drejt begatisë, Izraeli të ruajë dialogun

Damasku dhe Uashingtoni përshëndesin një 'moment historik', Trump: Siria po shkon drejt begatisë, Izraeli të ruajë dialogun

21:04, 01/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, paralajmëroi sot Izraelin të shmangë çdo ndërhyrje të re në Siri, duke argumentuar se veprime të tilla mund të dëmtojnë procesin e transformimit të vendit drejt një “të ardhmeje të begatë”.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se është “thelbësore që Izraeli të mbajë një dialog të hapur dhe të sinqertë me Sirinë, pa ndërhyrë në dinamikat që po e çojnë vendin drejt stabilitetit”. Ai shtoi se SHBA-të janë “shumë të kënaqura” me progresin që, sipas tij, ka shfaqur Damasku muajt e fundit.

Ndërkohë tensionet në jug të Sirisë u rritën javën e kaluar, kur 13 persona u vranë në një bastisje izraelite në një fshat pranë kufirit. Ushtria e Izraelit deklaroi se operacioni kishte në shënjestër një grup islamist, ndërsa Ministria e Jashtme Siriane e cilësoi sulmin si “krim lufte”.

Që prej rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad një vit më parë, Izraeli ka kryer dhjetëra sulme mbi caqe në brendësi të Sirisë dhe mban trupa të vendosura në zonën e demilitarizuar të Golanit. Operacioni i fundit është vlerësuar si më vdekjeprurësi që prej fillimit të vitit.

Në fillim të nëntorit, Trump priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin e ri të Sirisë, Ahmad al-Sarrah. Gjatë takimit, al-Sarrah njoftoi se Siria do t’i bashkohet koalicionit ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik. Trump e quajti këtë një “mundësi historike” për paqe afatgjatë midis Sirisë dhe Izraelit.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vizitoi trupat e stacionuara në zonën e Golanit më 19 nëntor, duke theksuar rëndësinë strategjike të pranisë ushtarake atje. Vizita u dënua menjëherë nga Damasku dhe nga Kombet e Bashkuara, të cilat e kanë shpallur zonën si territor nën mbikëqyrjen e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco