Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, do të presin nesër në Florida një delegacion ukrainas të udhëhequr nga negociatori i ri kryesor, Rustem Umerov, për të diskutuar planin amerikan për përfundimin e luftës. Këtë e bëri të ditur një zyrtar i administratës në Uashington. Në takim do të marrë pjesë edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit.
Umerov u vu në krye të delegacionit ukrainas pasi kryenegociatori paraprak, shefi i stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak, dha dorëheqje një ditë më parë pasi hetuesit kundër korrupsionit bastisën zyrën dhe shtëpinë e tij.
Yermak ishte ndërmjetësi kryesor me aleatët perëndimorë të Kievit dhe konsiderohej gjerësisht si njeriu i dytë më i fuqishëm në qeverinë ukrainase.
“Detyra është e qartë: të hartohen shpejt dhe konkretisht hapat e nevojshëm për të vendosur fundin e luftës,” shkroi Zelensky. “Ukraina vazhdon të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara në mënyrën më konstruktive të mundshme.”
Sipas NBC, delegacioni ukrainas pritet të takohet në Florida me të dërguarin special të Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e presidentit, Jared Kushner.
“Zelensky tha se pret që rezultatet e takimeve të mëhershme me SHBA-në në Gjenevë, që u zhvilluan fundjavën e kaluar, tani të “konkretizohen” në bisedimet e së dielës.
Ndërkohë Yermak i tha New York Post disa orë pas dorëheqjes se po “shkon në front”.
“Jam një njeri i ndershëm dhe i respektueshëm”, tha ai.
Ukraina po përballet me presion nga Uashingtoni për të pranuar kushtet e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa Zelensky gjendet në situatën më të vështirë politike dhe ushtarake që nga ditët e para të pushtimit rus më 2022.
© SYRI.net