Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se një delegacion i shtetit të tij, i udhëhequr nga sekretari i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov, është nisur drejt Shteteve të Bashkuara për të vazhduar bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje që mund t’i japë fund luftës me Rusinë.
Ky zhvillim shënon herën e parë që një figurë e afërt e Zelenskyt nuk është pjesë e delegacionit, pasi kryenegociatori i mëparshëm, shefi i stafit të presidentit, Andriy Yermak, dha dorëheqje një ditë më parë, pas një bastisjeje nga hetuesit kundër korrupsionit në zyrën dhe shtëpinë e tij.
Zelensky tha se pret që rezultatet e takimeve të mëhershme me SHBA-në në Gjenevë, që u zhvilluan fundjavën e kaluar, të konkretizohen gjatë bisedimeve të së dielës. Takimet e fundit i mundësuan Ukrainës të paraqiste propozimet e saj, ndërsa sekretari amerikan i Ushtrisë, Dan Driscoll, kishte paraqitur më parë propozimet amerikane tek udhëheqësit në Kiev.
“Rustem dorëzoi sot një raport dhe detyra është e qartë: të punojmë shpejt dhe me substancë për hapat e nevojshëm për të përfunduar luftën”, shkroi Zelensky në rrjetin social X.
Pas dorëheqjes, Yermak i tha New York Post se po “shkon në front” dhe shtoi: “Jam një njeri i ndershëm dhe i respektueshëm.”
Ukraina po përballet me presion nga Uashingtoni për të pranuar kushtet e një marrëveshjeje paqes, ndërsa Zelensky gjendet në një nga situatat më të vështira politike dhe ushtarake që nga fillimi i pushtimit rus në 2022.
© SYRI.net