Një sulm me dronë nga forcat ruse ndaj Kievit dhe zonave përreth gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës ka shkaktuar të paktën një të vdekur dhe 11 të plagosur, mes tyre gra dhe një fëmijë, si dhe dëme të mëdha materiale, sipas autoriteteve ukrainase.
Të parat shpërthime u dëgjuan rreth mesnatës në qendër të kryeqytetit, dhe kryebashkiaku Vitali Kliçko i atribuoi menjëherë sulmet ushtrisë ruse.
“Vdekja e një personi është konfirmuar”, deklaroi në Telegram kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, duke specifikuar se viktima ishte një burrë.
Ai njoftoi gjithashtu një bilanc ende paraprak prej “tetë banorësh të Kievit të plagosur dhe një të vdekuri”.
Më herët, kryebashkiaku Kliçko kishte bërë të ditur se mes të plagosurve ishte edhe një 13-vjeçar.
Administrata ushtarake e Kievit e cilësoi sulmin si “një akt cinik terrorist nga Federata Ruse”, duke bërë të ditur se dronët kanë goditur nëntë zona të ndryshme në pesë distrikte të qytetit.
Kryebashkiaku u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehimoret nëntokësore deri në përfundim të sulmit.
Disa ndërtesa banimi, mes tyre një 25-katësh dhe një tjetër 14-katësh, si dhe shtëpi individuale e automjete, kanë pësuar dëmtime të ndryshme nga goditjet.
© SYRI.net