BBC
Një prokuror ka hequr dorë nga çështja e ndërhyrjes në zgjedhjet e vitit 2020 kundër presidentit Donald Trump.
Pete Skandalakis paraqiti një kërkesë për ta pushuar çështjen, e cila fillimisht e akuzonte Trump-in dhe të tjerë për komplot për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, në favor të Joe Biden-it.
Akuzat shtetërore ishin çështja e fundit penale e mbetur kundër presidentit amerikan që lidhej me zgjedhjet e vitit 2020. Ajo ishte ngritur fillimisht nga prokurorja e qarkut, Fani Willis, por ajo u hoq nga çështja nga Gjykata e Lartë e shtetit Georgia pas një skandali personal.
“Një prokuror i drejtë dhe i paanshëm i ka dhënë fund kësaj përndjekje ligjore,” tha një avokat i Trump si përgjigje ndaj pushimit të çështjes.
Willis u hoq nga çështja pasi gjykata konstatoi se një marrëdhënie romantike me një prokuror të posaçëm të caktuar për çështjen krijonte një “përshtypje të papërshtatshme”.
Skandalakis, drejtor ekzekutiv i agjencisë jopartiake ‘Prosecuting Attorneys' Council of Georgia’, e caktoi veten në këtë çështje pas skualifikimit të Willis dhe pasi prokurorë të tjerë të shtetit refuzuan ta merrnin përsipër.
Në kërkesën e së mërkurës drejtuar një gjyqtari të Fulton County, Skandalakis tha se po e ndërpriste çështjen “për t’i shërbyer interesave të drejtësisë”.
“Si një ish-zyrtar i zgjedhur që ka kandiduar si demokrat dhe si republikan, dhe tani si drejtor ekzekutiv i një agjencie jopartiake, kjo vendimmarrje nuk udhëhiqet nga dëshira për të avancuar një agjendë, por bazohet në bindjet e mia dhe në kuptimin tim të ligjit,” shtoi Skandalakis.
Willis e nisi hetimin në shkurt 2021, pasi ‘The Washington Post’ publikoi një incizim të Trump duke folur me sekretarin e shtetit të Georgias, republikanin Brad Raffensperger. “Unë dua të gjej vetëm 11.780 vota,” dëgjohet të thotë Trump në telefonatën e 2 janarit 2021. Ajo ishte diferenca me të cilën ai humbi shtetin ndaj Joe Biden.
Willis paraqiti një aktakuzë në gusht 2023, duke pretenduar se Trump komplotonte me 18 të pandehur të tjerë për të ndërhyrë në rezultatin e zgjedhjeve.
Grupi “refuzoi të pranonte se Trump humbi, dhe ata me vetëdije e me dashje iu bashkuan një komploti për të ndryshuar në mënyrë të paligjshme rezultatin e zgjedhjeve në favor të Trump”.
Katër të bashkëpandehur pranuan marrëveshje me prokurorinë, që rezultuan kryesisht në gjoba, dënime me kusht dhe punë në komunitet — përfshirë avokatët Sidney Powell, Kenneth Cheseboro dhe Jenna Ellis.
Pushimi i çështjes të së mërkurës ndikon të pandehurit e mbetur, përfshirë ish-kryetarin e bashkisë së New York-ut dhe ish-avokatin e Trump-it, Rudy Giuliani, si dhe Mark Meadows, shef i stafit gjatë presidencës së parë të Trump-it.
Steve Sadow, avokati kryesor i Presidentit Trump në këtë çështje, e përgëzoi vendimin për ta hequr dorë nga ndjekja penale.
“Persekutimi politik i presidentit Trump nga prokurorja Fani Willis, e cila u skualifikua, më në fund ka marrë fund,” tha ai. “Kjo çështje nuk duhej hapur kurrë”.
Çështja e ndërhyrjes në zgjedhje dikur konsiderohej si më e rrezikshmja nga katër aktakuzat penale kundër Trump, sepse ai nuk mund të falte veten nga akuzat e nivelit shtetëror nëse do të rikthehej në detyrë. Gjykata e Lartë e SHBA i dha Trump imunitet të gjerë ndaj ndjekjeve federale për atë që e përshkroi si veprime zyrtare, por ajo vendimmarrje nuk mbulonte çështjet në nivel shteti.
Prokurorët e çuan Trump në burgun e Fulton County, ku i morën fotografinë e arrestimit. (Mbështetësit e presidentit e përqafuan imazhin, duke e përdorur më pas në materiale të fushatës).
Megjithatë, ekspertët ligjorë që e ndoqën nga afër çështjen nuk u habitën nga pushimi i saj. Çështja e gjerë u dobësua gradualisht — një gjyqtar hodhi poshtë disa nga akuzat në vitin 2024 dhe Willis u skualifikua pak muaj më vonë.
© SYRI.net