Itali/ Burg të përjetshëm për ata që vrasin gratë për motive gjinore e për t’iu privuar lirinë

Itali/ Burg të përjetshëm për ata që vrasin gratë për motive gjinore e për t’iu privuar lirinë

16:42, 26/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Në Ditën Ndërkombëtare kundër dhunës ndaj gruas, Dhoma e Deputetëve në Parlamentin italian miratoi ligjin që fut në Kodin Penal veprën penale të femicidit, pas miratimit më parë nga Senati. Ligji parashikon burgim të përjetshëm kur vrasja e një gruaje kryhet për shkak të diskriminimit gjinor, urrejtjes ose për të shtypur lirinë e viktimës.

Kryeministrja Giorgia Meloni u shpreh se "Ky është një sinjal i rëndësishëm i bashkimit të politikës kundër barbarisë së dhunës ndaj grave. Shtojmë mjete konkrete si forcimin e Kodit të Kuq dhe rritjen e burimeve për qendrat dhe shtëpitë mbrojtëse, por duhet të bëjmë më shumë çdo ditë për të mbrojtur dinjitetin dhe lirinë e çdo gruaje."

Ndërkohë, ligji për konsensusin seksual, i miratuar më parë është shtyrë në Senat për hetime shtesë. Reforma parashikon se çdo akt seksual pa konsensus të lirë dhe aktual është krim, me dënim nga 6 deri në 12 vjet burg.

Përplasja politike ka bërë që opozita të largohet nga punimet në Komisionin e Drejtësisë, por ky projektligj është rezultat i një bashkëpunimi të mundshëm midis qeverisë dhe opozitës për mbrojtjen e grave. Ky zhvillim tregon se, edhe në momente tensioni politik, është e mundur të gjendet terren i përbashkët për të mbrojtur dinjitetin dhe sigurinë e grave.

Ligji i ri 557 bis u aprovua nga 227 deputetë e asnjë votë kundër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco