Në Berlin, kancelari Friedrich Merz, foli në Bundestagun gjerman në një debat mbi buxhetin e vitit të ardhshëm të vendit të tij.- Advertisement -
Ai foli për nevojën për të reformuar ekonominë gjermane dhe për të përmirësuar konkurrueshmërinë e saj duke u ndalur edhe tek situata e Ukrainës dhe bisedimet e paqes të udhëhequra nga SHBA-të.
Merz theksoi se ruajtja e paqes në Evropë është një nga parimet kryesore udhëzuese të qeverisë së tij, ndërsa foli për nevojën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por jo me kushte që do të përbënin “kapitulim” e saj.
Ai foli gjithashtu për nevojën për të ruajtur unitetin midis vendeve evropiane dhe me SHBA-në, pasi “pa pëlqimin e Ukrainës dhe pa pëlqimin e evropianëve, nuk do të ketë bazë për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.
“I mirëpres përpjekjet e Trump për t’i dhënë fund luftës, por çështjet evropiane mund të vendosen vetëm në marrëveshje me Evropën, pasi Evropa nuk është një gur shahu, por një aktor sovran, me interesat dhe vlerat e veta”, është shprehur Merz.
Merz theksoi se Rusia mund ta përfundonte luftën brenda pak minutash nëse e donte vërtet këtë dhe se sipasa tij është i vetmi agresor në këtë konflikt.
Ndërkohë, ai deklaroi se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa të jetë e mundur” dhe tha se do ta mbështesë idenë e përdorimit të aseteve të ngrira ruse “të disponueshme për këtë qëllim”.
“Putini duhet ta kuptojë se nuk ka asnjë shans për ta fituar këtë luftë në kurriz të rendit evropian të lirisë dhe paqes”, shtoi ai.
© SYRI.net