Shefi i sigurisë së Ukrainës tha se shpreson të mundësojë një vizitë të Presidentit Volodymyr Zelensky në SHBA “sa më shpejt që të jetë e mundur” gjatë këtij muaji, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës po vazhdojnë.
Rustem Umerov, kreu i Këshillit të Sigurisë së Ukrainës, deklaroi sot se SHBA dhe Ukraina kanë arritur një “mirëkuptim të përbashkët mbi termat kryesorë të marrëveshjes së diskutuar” në bisedimet e mëparshme në Gjenevë.
Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar ende mbi mundësinë e një takimi Trump–Zelensky.
Ndërkohë, Sekretari i Ushtrisë së SHBA-së, Dan Driscoll, është duke zhvilluar takime me përfaqësues rusë në Abu Dhabi. Nuk dihet ende se kush përbën delegacionin rus.
Umerov tha se ekipi i tij “pret me padurim” organizimin e vizitës së Zelenskyt në SHBA ‘nw njw datw sa mw tw pwrshtatshme në nëntor, për të përmbyllur hapat finalë dhe për të arritur një marrëveshje” me Presidentin amerikan Donald Trump.
Më herët, një zyrtar amerikan që udhëtonte me Driscoll në Abu Dhabi informoi gazetarët se Ukraina kishte rënë dakord me planin e paqes, me disa detaje të vogla që mbeten për t’u qartësuar.
I pyetur për ta konfirmuar këtë, administrata i referoi BBC-së deklaratave të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, në Gjenevë të dielën, kur ai tha se do të duhen ende diskutime në nivele më të larta për të finalizuar marrëveshjen.
Hendeku mes kushteve që Ukraina dhe Rusia janë të gatshme të pranojnë mbetet ende shumë i madh, dhe Kremlini është i pamundur të pranojë një marrëveshje që Kievi mund ta miratojë.
Liderët në Kiev dhe Europë kritikuan draftin fillestar të planit amerikan prej 28 pikësh, i cili u bë publik javën e kaluar, duke e cilësuar tepër favorizues ndaj Rusisë.
Kundërpropozimet – të hartuar, sipas raportimeve, nga Britania, Franca dhe Gjermania – përjashtonin çdo njohje të territoreve të mbajtura nga Rusia, rrisnin madhësinë e ushtrisë së lejuar të Ukrainës dhe linin të hapur mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Të hënën, Zelensky mirëpriti ndryshimet e propozuara në planin prej 28 pikësh.
“Tani lista e hapave të nevojshëm për t’i dhënë fund luftës mund të bëhet e realizueshme,” tha ai. “Shumë elementë të drejtë janë përfshirë në këtë kornizë.”
Një zyrtar i Kremlinit i hodhi poshtë amendamentet duke i quajtur “krejtësisht të pakonstruktive”.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov – i cili nuk po merr pjesë në takimin në Abu Dhabi – tha të martën se Kremlini ende nuk ka marrë versionin “të ndërmjetëm” të draftit të rishikuar, duke shtuar se nga perspektiva e Moskës plani duhet të pasqyrojë “frymën dhe shkronjën” e bisedimeve të Alaskës mes Trump dhe Presidentit Vladimir Putin në gusht.
Ndërkohë, një takim virtual i “koalicionit të vullnetarëve” të aleatëve europianë të Ukrainës po zhvillohet këtë të martë për të diskutuar situatën, njoftoi kryeministri britanik Sir Keir Starmer.
Më herët gjatë ditës, Zelensky tha se kishte pasur një bisedë “të mirë dhe shumë produktive” me Starmerin, ku diskutuan për agjendën e takimit.
Raundi i fundit i bisedimeve u zhvillua pasi Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sulme gjatë natës nga e hëna në të martë.
Sipas Zelenskyt, 22 raketa dhe më shumë se 460 dronë u lëshuan ndaj Ukrainës gjatë natës, duke shkaktuar zjarr në dy pallate të larta në qendër të qytetit dhe duke lënë të paktën gjashtë të vdekur.
Ndërkohë, ministria ruse e mbrojtjes tha se kishte ndërprerë 249 dronë ukrainas gjatë natës, përfshirë mbi Detin e Zi dhe në Kursk, dhe se të paktën tre persona kishin humbur jetën në rajonin e Rostovit.
Qindra mijëra ushtarë dhe mijëra civilë janë vrarë ose plagosur, ndërsa miliona njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, që prej fillimit të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt 2022. /BBC/
© SYRI.net