Ushtria e Ukrainës ka njoftuar këtë të martë, më 25 nëntor, se ka goditur një rafineri nafte ruse në rajonin Krasnodar si dhe një terminal nafte në portin e Novorossiysk.
Siç shkruan Reuters, forcat e Kievit kanë intensifikuar sulmet me rreze të gjatë ndaj objektivave ruse, veçanërisht ndaj objekteve të naftës, ndërsa lufta mes dy vendeve po i afrohet shënimit të katër viteve.
Në një deklaratë në Telegram, Shtabi i Përgjithshëm tha se pajisjet për ngarkimin dhe shkarkimin e naftës në cisternat u goditën. Po ashtu u raportua se një avion rus zbulues A-60 u godit gjatë një sulmi në uzinën ushtarake Beriev.
Ndërkohë, një zyrtar nga shërbimi i sigurisë së brendshme të Ukrainës (SBU) tha se sulmi dëmtoi një anije të madhe zbarkimi që ishte ankoruar pranë molit të një baze detare në Novorossiysk.
Ndërkohë edhe Rusia e ka sulmuar sërish Kievin, duke vrarë të paktën shtatë persona, teksa zyrtarët amerikanë raportohet të jenë në Abu Dabi në takime të ndara me zyrtarë rusë dhe ukrainas, në përpjekje e sipër për të arritur një marrëveshje, bazuar në propozimin amerikan për paqe.
Propozimi fillestar është kritikuar nga Ukraina dhe Perëndimi, duke u përshkruar si tejet i favorshëm për Moskën.
© SYRI.net