Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, zhvilloi të martën një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, vetëm pak orë pas takimit të këtij të fundit me liderin kinez Xi Jinping. Bisedimet vijnë në një periudhë tensionesh të rritura mes SHBA-së, Kinës dhe Japonisë për çështjen e Tajvanit.
Takaichi, e zgjedhur muajin e kaluar në krye të Partisë Liberale Demokratike, tha se telefonata ishte kërkuar nga Trump, i cili “dha një përditësim mbi gjendjen e fundit të marrëdhënieve SHBA-Kinë”.
Sipas saj, të dy liderët shkëmbyen mendime për forcimin e aleancës SHBA-Japoni dhe për sfidat në rajonin Indo-Paqësor. “Presidenti Trump më tha se jam një mike shumë e afërt dhe se mund ta kontaktoj në çdo kohë. Për shkak të natyrës diplomatike të bisedës, nuk mund të jap më shumë detaje”, theksoi Takaichi, pa e përmendur drejtpërdrejt Tajvanin.
Biseda vjen në një moment kur marrëdhëniet Tokio-Pekin janë acaruar ndjeshëm. Shkak u bë një deklaratë e Takaichi në parlament, ku ajo përmendi një skenar hipotetik sipas të cilit një sulm i mundshëm kinez ndaj Tajvanit mund të trajtohej si “kërcënim ekzistencial” për Japoninë, çka do t’i hapte rrugën një reagimi ushtarak të Forcave të Vetëmbrojtjes.
Kina, që e konsideron Tajvanin territor të vetin, i ka dënuar ashpër komentet dhe ka sinjalizuar masa ndëshkuese, përfshirë bllokimin e importeve të produkteve të detit nga Japonia, anulimin e eventeve të përbashkëta dhe paralajmërime për qytetarët që të shmangin udhëtimet drejt Japonisë.
Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ende një koment për telefonatën Takaichi-Trump, e cila u zhvillua në të njëjtën ditë kur Trump foli edhe me Xi Jinping. Sipas agjencisë shtetërore kineze Xinhua, dy presidentët diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë Tajvanin, në bisedën e tyre të parë pas takimit në Korenë e Jugut gjatë samitit të APEC. Xinhua raportoi se Xi i përsëriti Trump-it rëndësinë e “kthimit të Tajvanit në Kinë”, ndërsa Trump nuk e përmendi fare çështjen në postimet e tij më vonë në Truth Social.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se telefonata ishte fokusuar kryesisht te tregtia, në vazhdën e armëpushimit njëvjeçar në luftën tregtare SHBA-Kinë, të arritur më 30 tetor në Busan.
Ndërkohë, ambasadori amerikan në Tokio, George Glass, ka riafirmuar mbështetjen e SHBA-ve për Japoninë, por Trump vetë nuk ka komentuar publikisht mbi deklaratat e Takaichi për Tajvanin.
© SYRI.net