Izraeli bombardon lagjet jugore të Bejrutit, raportohet për viktima

Izraeli bombardon lagjet jugore të Bejrutit, raportohet për viktima

15:53, 23/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Izraeli ka kryer një sulm të ri ajror në periferitë jugore të Bejrutit, në zonën e njohur si Dahiyeh, duke goditur një ndërtesë banimi dhe duke shkaktuar të plagosur dhe dëme të mëdha materiale. Ky sulm përbën shkeljen më të fundit të armëpushimit të nënshkruar një vit më parë mes Izraelit dhe Libanit, i cili synonte t’i jepte fund luftimeve që u përshkallëzuan në luftë të plotë.

Al Jazeera shkruan se sipas ushtrisë izraelite, objektivi i sulmit ishte Haytham Ali Tabatabai, shefi i shtabit të Hezbollahut. Mediat izraelite raportojnë se ushtria kishte tentuar dy herë më parë ta eliminonte gjatë konfliktit të vitit të kaluar, duke e bërë këtë përpjekjen e tretë. Hezbollahu nuk ka konfirmuar ende nëse Tabatabai është vrarë apo plagosur.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA) njoftoi se dy raketa goditën një ndërtesë në lagjen Haret Hreik, duke lënë pas të plagosur dhe dëme të konsiderueshme në automjete e struktura përreth. Ambulancat mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa një shtëllungë e madhe tymi u pa duke u ngritur mbi zonën e populluar.

Pamjet e qarkulluara në rrjetet sociale tregojnë dhjetëra persona të mbledhur pranë vendit të shpërthimit.

Duke folur për Al Jazeera, analisti Souhaib Jawher tha se goditja synonte ndoshta figurën që po riorganizonte strukturat ushtarake të Hezbollahut.

“Besoj se Tabatabai ishte ai që po riorganizonte udhëheqjen ushtarake të Hezbollahut, dhe shënjestrimi i lagjeve jugore të Bejrutit është një tregues se shteti libanez nuk ka garanci kundër zgjerimit të sulmeve të tilla.”, tha studiuesi i Institutit të Politikave Alternative.

Sipas tij, situata e tanishme krijon hapësirë për vazhdimin e bombardimeve dhe atentateve pa kaluar në një pushtim tokësor.

 “Libani ka ofruar gjithçka, përfshirë pastrimin e zonës në jug të lumit Litani nga armët dhe pranimin e negociatave të drejtpërdrejta. Presidenti paraqiti një nismë dy ditë më parë, por situata aktuale i shërben Izraelit,” shtoi Souhaib të dielën.

Sulme të përsëritura izraelite

Izraeli ka kryer sulme pothuajse të përditshme në jug të Libanit dhe gjithashtu ka sulmuar disa herë Bejrutin, por kryeqyteti nuk ishte goditur në muajt e fundit.

Të paktën 13 persona u vranë në një sulm ajror izraelit në një kamp refugjatësh palestinez në jug të Libanit këtë javë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit.

Një dron goditi një makinë të martën në parkimin e një xhamie në kampin e refugjatëve Ein el-Hilweh, në periferi të qytetit bregdetar të Sidonit, raportoi NNA shtetërore.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë shtuar presionin mbi Libanin për të çarmatosur Hezbollahun.
Ushtria libaneze paraqiti një plan që qeveria e miratoi në shtator, i cili do të çarmatosë Hezbollahun në të gjithë vendin deri në fund të vitit.

Izraeli ka thënë se Hezbollah po përpiqet të rindërtojë aftësitë e tij ushtarake në jug të Libanit, ndërsa qeveria libaneze i ka mohuar këto pretendime.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco