Gjermania duhet të marrë rolin që Amerika ka pasur historikisht të komandantit të NATO-s në Europë, ka sugjeruar i dërguari i Donald Trump-it në aleancën perëndimore.
Matthew Whitaker, ambasadori amerikan në NATO, tha se shpreson që një ditë Gjermania të ofrojë vullnetarisht kandidaturën për rolin prestigjioz të Komandantit Suprem të Aleatëve në Europë.
Ai tha në Konferencën e Sigurisë në Berlin: "Pres me padurim ditën kur Gjermania do t'i drejtohet Shteteve të Bashkuara dhe do të thotë se është gati të marrë postin e Komandantit Suprem të Aleatëve. Mendoj se jemi ende larg kësaj, por pres diskutimet për këtë çështje."
Whitaker shtoi se Uashingtoni do të donte të shihte që aftësitë ushtarake të Europës të bëheshin të barabarta me ato të Amerikës, duke e përshkruar këtë si një "qëllim aspirues që duhet ta kemi të gjithë parasysh."
Që nga themelimi i NATO-s në vitin 1949, posti i Komandantit Suprem të Aleatëve në Europë ka qenë gjithmonë në duart e një amerikani, zakonisht një gjenerali me katër yje, i cili mbikëqyr aktivitetet ushtarake të aleancës në Europë.

Personi që e mban aktualisht këtë post është gjenerali Alexus G. Grynkewich nga Forca Ajrore e SHBA-së. Oficeri i parë amerikan që e mbajti këtë post ishte Dwight D. Eisenhower, heroi i Luftës së Dytë Botërore dhe presidenti i 34-t i SHBA-së.
Prej muajsh qarkullojnë thashetheme se SHBA dëshiron të tërhiqet nga ky rol dhe t'ia lërë komandën një gjenerali europian.
Komentet e Whitaker-it sugjerojnë se administrata e Trump-it do të donte që Gjermania, një ditë, ta kalonte Amerikën si garantuesi kryesor i sigurisë në Europë.
Kjo vjen pas zotimit të kancelarit gjerman, Friedrich Merz, për të rindërtuar Bundeswehr-in (forcat e armatosura) në "ushtrinë më të fortë konvencionale" në Europë. "Gjermania është rikthyer," ka deklaruar Merz.
Komentet e Whitaker-it, sipas të cilave posti i Komandantit Suprem të Aleatëve në Europë duhet t'i kalojë Gjermanisë, ngjallën reagime gjatë një paneli për mbrojtjen europiane.
Gjenerallejtënant Wolfgang Wien, përfaqësuesi i Gjermanisë në NATO dhe BE, tha se ishte disi i habitur nga sugjerimi.
Ai u shpreh: "Unë e shoh pak ndryshe," duke theksuar se Gjermania është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja brenda NATO-s, por ende e konsideron këtë post si një përgjegjësi të rëndësishme të SHBA-së.
Më herët këtë vit, u spekulua se Admirali britanik Sër Tony Radakin mund të bëhej Komandant Suprem i Aleatëve në Europë. Megjithatë, posti iu dha gjeneralit Grynkewich, i emëruar në korrik.

Trump është ankuar vazhdimisht se vendet europiane të NATO-s po "përfitojnë pa paguar" nga SHBA-ja, duke mos përmbushur objektivat e shpenzimeve të aleancës.
Në Konferencën e Sigurisë në Berlin, Whitaker theksoi se administrata Trump mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s dhe tha se ishte i impresionuar nga përpjekjet e Gjermanisë për të rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen.
Ai shtoi: "Ne jemi ende këtu, vazhdojmë të paraqitemi. Presidenti Trump e kupton shumë mirë rëndësinë e kësaj aleance dhe të partneritetit tonë me aleatët e NATO-s. Ai thjesht pret shumë më tepër se sa kanë pritur shumica e presidentëve të tjerë." / The Telegraph - Syri.net
© SYRI.net