Anija spiunazhi ruse pikaset pranë Hawaii-t

Anija spiunazhi ruse pikaset pranë Hawaii-t

08:31, 14/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rojet Bregdetare të Shteteve të Bashkuara kanë konfirmuar se më 29 tetor kanë vërejtur një anije të inteligjencës së Marinës ruse pranë Hawaii-t, jashtë ujërave territoriale amerikane, raporton Kyiv Post.

Anija Kareliya, e klasës Vishnya dhe e ndërtuar për kapjen e sinjaleve dhe komunikimeve të inteligjencës, ishte afruar rreth 15 milje detare në jug të Oahu. Teknikisht ajo ndodhej në ujëra ndërkombëtare, por mjaft afër infrastrukturave kritike ushtarake të Hawaii-t për t’u konsideruar një përpjekje të qëllimshme.

Rojat Bregdetare, me anijen patrulluese William Hart dhe avionë të tyre, e ndoqën anijen në një operacion monitorimi që u përshkrua si “i sigurt dhe profesional”, duke theksuar se nuk ka pasur asgjë të jashtëzakonshme.

Megjithatë, sipas mediave, zyrtarë amerikanë dhe perëndimorë në mënyrë private e kanë cilësuar ngjarjen jo të zakonshme, duke vënë në dukje vendndodhjen dhe kohën e veprimit. Një ish-zyrtar amerikan i mbrojtjes e ka përshkruar lëvizjen e Moskës si “një test klasik për kufijtë”.

Hawaii, vendi i Komandës Indo-Paqësore të SHBA, konsiderohet një nga pikat më të rëndësishme në botë për mbledhjen e të dhënave ushtarake. Zyrtarët vlerësojnë se nuk ishte një “vizitë turistike”, por një provë tjetër për të testuar mbrojtjen e kufijve amerikanë dhe të NATO-s.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco