BBC i kërkon falje Trump për montazhin në 'Panorama', por refuzon të paguajë kompensim 1 mln dollarë

BBC i kërkon falje Trump për montazhin në 'Panorama', por refuzon të paguajë kompensim 1 mln dollarë

22:33, 13/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

BBC i ka kërkuar falje presidentit amerikan Donald Trump për episodin e emisionit Panorama, në të cilin ishin montuar pjesë të ndryshme të një fjalimi të tij, por ka refuzuar kërkesën e tij për dëmshpërblim.

Koorporata britanike tha se montazhi kishte krijuar “përshtypjen e gabuar se presidenti Trump kishte bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për veprim të dhunshëm” dhe shtoi se programi nuk do të transmetohet më.

Avokatët e Trump kanë kërcënuar se do ta padisin BBC-në për 1 miliard dollarë (rreth 759 milionë paund) nëse nuk bën tërheqjen zyrtare të materialit, nuk kërkon falje dhe nuk e kompenson atë.

Pasojat e skandalit çuan në dorëheqjet e drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie, dhe shefes së lajmeve, Deborah Turness.

BBC i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë për një koment lidhur me çështjen.

Kërkesa për falje erdhi pasi Daily Telegraph zbuloi një tjetër rast të ngjashëm montazhi të manipuluar, i transmetuar në emisionin Neësnight në vitin 2022.

Në rubrikën “Korrigjime dhe Sqarime”, të publikuar të enjten në mbrëmje, BBC bëri të ditur se kishte rishikuar episodin e Panorama-s pas kritikave për mënyrën se si ishte montuar fjalimi i Trump.

“Ne pranojmë se montazhi ynë, pa dashje, krijoi përshtypjen se po transmetonim një pjesë të vetme dhe të pandërprerë të fjalimit, në vend të fragmenteve të marra nga pjesë të ndryshme, dhe kjo dha gabimisht përshtypjen se presidenti Trump kishte bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për veprim të dhunshëm,” thuhej në sqarimin e BBC-së.

Një zëdhënës i BBC-së tha se avokatët e koorporatës i kishin dërguar një përgjigje ekipit ligjor të presidentit Trump, pas një letre që kishin marrë të dielën.

“Kryetari i BBC-së, Samir Shah, ka dërguar gjithashtu një letër personale Shtëpisë së Bardhë, ku i ka bërë të qartë presidentit Trump se ai dhe korporata ndjehen keq për mënyrën se si u montua fjalimi i tij i 6 janarit 2021, i përfshirë në program,” thuhej më tej.

BBC theksoi se “nuk ka në plan ta ritransmetojë dokumentarin Trump: A Second Chance? në asnjë prej platformave të saj.”

“Ndërsa BBC shpreh keqardhje të sinqertë për mënyrën si u montua videoja, ne nuk pajtohemi me pretendimin se ekziston bazë për një padi për shpifje,” përfundon deklarata.

Në fjalimin e Donald Trump më 6 janar 2021, ai tha:

 “Do të ecim drejt Kapitolit dhe do të inkurajojmë senatorët dhe kongresmenët tanë të guximshëm.”

Më shumë se 50 minuta më vonë në të njëjtin fjalim, ai shtoi:
“Ne luftojmë. Luftojmë fort.”

Në episodin e Panorama të vitit 2024, montazhi e paraqiste fjalinë kështu:
“Do të ecim drejt Kapitolit... dhe unë do të jem me ju. Dhe luftojmë. Luftojmë fort.”

Duke folur për Fox Neës, Trump tha se fjalimi i tij i 6 janarit 2021 ishte “copëzuar” dhe mënyra se si u paraqit “mashtronte” shikuesit.

BBC-ja mori letrën nga avokatët e Trump të dielën. Në të kërkohet një “tërheqje e plotë dhe e drejtë” e dokumentarit, një kërkesë faljeje dhe që BBC “ta kompensojë në mënyrë të përshtatshme presidentin Trump për dëmin e shkaktuar”.

Afati i vendosur për përgjigjen ishte e premtja, ora 22:00 GMT (17:00 EST).

Në letrën ligjore që BBC i dërgoi ekipit të Trump, korporata paraqiti pesë argumente kryesore:

1BBC thekson se nuk kishte të drejta transmetimi për episodin e Panorama në kanalet e saj në SHBA dhe nuk e kishte shpërndarë atje.

Kur dokumentari ishte i disponueshëm në platformën BBC iPlayer, ai ishte i kufizuar vetëm për shikuesit në Mbretërinë e Bashkuar.

2 BBC argumenton se dokumentari nuk i ka shkaktuar dëm Trump, pasi ai është rizgjedhur president.

3 Klipi nuk ishte përgatitur për të mashtruar, por për të shkurtuar një fjalim shumë të gjatë, dhe montazhi nuk ishte bërë me qëllim keqdashës.

4 Segmenti nuk ishte menduar të shihej i shkëputur, por ishte vetëm 12 sekonda brenda një programi një orësh që përfshinte edhe shumë mbështetës të Trump.

5 Opinioni mbi çështje me interes publik dhe fjalimet politike gëzojnë mbrojtje të gjerë sipas ligjeve amerikane për shpifjen.

Një burim i brendshëm në BBC tha se brenda korporatës ekziston bindja e fortë se argumentet e paraqitura janë të qëndrueshme dhe se mbrojtja e saj ligjore është solide.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco