Radioja ushtarake izraelite Galei Tzahal, e themeluar në vitin 1950 për të arritur edhe zonat më të largëta të vendit, rrezikon të mbyllet përfundimisht më 1 mars.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi dje se do t’i kërkojë qeverisë mbylljen e saj, duke e akuzuar radion se “dëmton moralin e trupave me informacione të shtrembëruara”.
Galei Tzahal, që gëzon një dëgjueshmëri të gjerë rreth 900 mijë dëgjues në ditë, me një pjesëmarrje prej 18,8 për qind është një nga radiot më të ndjekura në Izrael, menjëherë pas radios publike Kan. Por kritikat e hapura ndaj qeverisë dhe pavarësia editoriale e saj janë bërë shkak për përplasje të vazhdueshme me kryeministrin Benjamin Netanyahu, i cili e ka akuzuar shpesh për qëndrime armiqësore.
Sipas analistëve, konflikti është përshkallëzuar pas kritikave të radios ndaj operacionit ushtarak “Karrocat e Gedeonit” në Rripin e Gazës , një ndërhyrje e mbështetur fuqimisht nga e djathta fetare, por e cilësuar si “e destinuar të dështojë” nga disa gjeneralë.
Katz pretendon se ka marrë ankesa të shumta nga ushtarë dhe familjet e tyre, duke e quajtur radion “një platformë opinionash që arrijnë të sulmojnë vetë ushtrinë një anomali e paprecedentë në çdo vend demokratik”.
Drejtori i radios, Tal Lev Ram, e ka cilësuar vendimin “një goditje dramatike ndaj lirisë së shtypit dhe shoqërisë izraelite”. Ai ka akuzuar ministrin Katz për “konflikt interesi dhe paragjykim politik” dhe ka paralajmëruar se do të përdorë “çdo mjet ligjor” për të kundërshtuar mbylljen.
Në mbështetje të radios është shprehur edhe Këshilli i Shtypit i Izraelit, organi përfaqësues i mediave kryesore, i kryesuar nga ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë Hanan Melcer. Ai e ka quajtur vendimin e Katz “të paligjshëm”, duke sqaruar se mbyllja e Galei Tzahal nuk mund të bëhet me dekret qeveritar, por kërkon votim në Knesset, që ka krijuar dhe financuar radion që prej themelimit të saj.
“Do të veprojmë për të parandaluar mbylljen e saj dhe për të mbrojtur lirinë e shtypit, pluralizmin mediatik dhe të drejtën e publikut për të dëgjuar zëra të ndryshëm”, deklaroi Melcer.
Edhe Lëvizja për Qeverisje Cilësore në Izrael, një nga organizatat më të mëdha të interesit publik, ka dënuar nismën e ministrit, duke e cilësuar “një tjetër sulm ndaj lirisë së medias”. Ky debat shpërthen pak ditë pasi qeveria miratoi në lexim të parë të ashtuquajturën “ligji Al Jazeera”, që i jep ekzekutivit të drejtën të mbyllë media të huaja pa miratimin e gjykatave.
“Të thuash se radioja e ushtrisë ‘dëmton moralin’ është vetëm një justifikim i dobët për të heshtur kritikat”, thuhet në reagimin e organizatës.
© SYRI.net