Gjurmët e Sorosit në Amerikën Latine

Gjurmët e Sorosit në Amerikën Latine

13:24, 08/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 

Nga Martin Arostegui - The Spectator

Gjurmët e shkatërrimit që lë pas George Sorosi më kujtojnë Godzillën. Në skenat e para të filmit të famshëm të vitit 1998, shkencëtari Nick Tatopoulos tmerrohet kur sheh gjurmët gjigante në një vend të Amerikës Qendrore të lëna nga hardhuca mutante teksa shkonte për të shkatërruar Nju Jorkun. Kam të njëjtën ndjesi kur shoh gjurmën monstruoze të Sorosit në Bolivi, ku votuesit sapo kanë rrëzuar një narkoregjim socialist që ai ndihmoi Kubën ta instalonte para se të përqendrohej te SHBA-ja.

Pasi rrëzoi paundin britanik përmes manipulimeve masive të valutës në vitet '90, ky financier megaloman duket se u kthye nga Amerika e Jugut për të kryer eksperimentet e tij "progresive". U bëra i vetëdijshëm për praninë e tij gjatë një interviste me presidentin në pritje të Bolivisë, Evo Morales, në vitin 2003, teksa "lëvizjet e tij shoqërore" po shkatërronin vendin me greva e bllokada të dhunshme për të përzënë një qeveri proamerikane.

Kur e takova Moralesin në zyrat e tij në kryeqytetin La Paz, e pyeta për mbështetjen që merrte nga Kuba dhe Venezuela. Duke u përpjekur të shmangte pyetjet e mia, ai u përgjigj: "Marr mbështetje edhe nga OJQ-të e Amerikës së Veriut dhe Europës, si Fondacioni Shoqëria e Hapur."

Menjëherë pas zgjedhjes së Moralesit si president, nën presionin e legjioneve të tij të kultivuesve të kokainës së militarizuar, minatorëve të radikalizuar dhe grupeve të tjera të menaxhuara nga Kuba që kërcënonin të paralizonin vendin nëse bolivianët votonin ndryshe, u shfaqën një mori artikujsh në shtyp për investimet madhështore që Sorosi planifikonte në energji, agroindustri e të tjera.

Por Sorosi po bënte të kundërtën. Sapo Morales hyri në pallatin presidencial, i shoqëruar nga Fidel Castro dhe udhëheqësi venezuelas Hugo Chávez, Sorosi shiti në mënyrë të fshehtë aksionet e tij kontrolluese në minierën më të madhe të argjendit në Bolivi, Cerro San Cristóbal, te konglomerati industrial japonez Sumitomo.

Çmimet e argjendit kishin qenë të ulëta për një kohë të gjatë dhe Sumitomo i ofroi Sorosit një marrëveshje komode për të siguruar furnizime të qëndrueshme e të lira të derivateve të argjendit për prodhimin e televizorëve. Bolivia ishte tërheqëse për ta për shkak të taksave të ulëta të eksportit nën administratën e tregut të lirë që Sorosi po e përmbyste.

Sipas ambasadorit të Bolivisë në Japoni në atë kohë, Joaquin Dabdoub, "shkurorëzimi" i Sorosit nga industria minerare boliviane ishte një operacion delikat që përfshinte shkëmbime aksionesh dhe manovra të ndërlikuara financiare përmes "një labirinti kompanish offshore jashtë kontrollit të qeverisë boliviane."

Regjistrat ligjorë, të mbajtur nga një avokat që nuk mund të identifikohet, tregojnë gjithashtu se Sorosi ia kaloi minierën me një faturë të papaguar tatimore të konsiderueshme, të cilën qeveria e Moralesit, që pretendonte se luftonte kapitalizmin, imperializmin dhe mbronte popujt indigjenë të shtypur, e injoroi krejtësisht.

Manovrat e errëta offshore të Sorosit ishin të njëjtat që përdorën kompanitë e naftës gjatë privatizimit të industrisë së gazit të Bolivisë, të cilin Moralesi e denoncoi ashpër dhe e përdori si pretekst për ta shtetëzuar.

Por Sorosi ishte i mbrojtur. Një ish-major i ushtrisë boliviane dhe këshilltar sigurie në minierën San Cristóbal, Juan Ramón Quintana, u bë ndihmës i ngushtë i Moralesit, duke kanalizuar mbështetjen nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për lëvizjen e tij MAS (Lëvizja për Socializëm) dhe duke propozuar një kushtetutë të re që do t'ia kalonte pronësinë e burimeve natyrore të vendit 36 fiseve indigjene "origjinale" (shumica tashmë të zhdukura) që banonin në territor përpara kolonizimit spanjoll.

Kushtetuta e re, e miratuar në mesnatë në një kazermë të ushtrisë të rrethuar nga bolivianë të zemëruar, synonte hapur të zhvishte nga të drejtat shumicën me origjinë të përzier, duke përqendruar pushtetin në një "byro politike indigjene" të pakontrollueshme. Mendimtarë progresistë europianë kishin kontribuar në hartimin e saj.

Quintana u emërua ministër i qeverisë, duke sjellë një ekip inteligjence kubane për të kryer përgjime elektronike dhe operacione survejimi nga zyrat presidenciale, si dhe këshilltarë iranianë sigurie, sipas zyrtarëve të Departamentit të Shtetit të SHBA në La Paz.

Agjentët kubanë morën kontrollin e ndërmarrjes shtetërore minerare COMIBOL, duke hapur rrugën që Kina të merrte kontrollin e litiumit të Bolivisë, ndërsa pjesa tjetër e sektorit minerar u shemb nën rregulloret e reja të imponuara përmes "drejtësisë komunitare indigjene."

Ndërkohë, Quintana mbrojti një zgjerim të madh të prodhimit të kokainës, duke krijuar strehë të sigurta për bosët meksikanë e brazilianë të drogës, ndërsa përndiqte kundërshtarët politikë, përfshirë udhëheqësit e kooperativave të pavarura minerare që përpiqeshin të bënin marrëveshje private me kompani amerikane.

Ai u bë ambasador në Kubë dhe u kthye në Bolivi për të drejtuar manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2019, kur operacionet e tij të falsifikimit të votave u zbuluan dhe u denoncuan nga OAS. Tani është në arrati, bashkë me Moralesin, i fshehur në protektoratin narkotik të Chapare-s.

Bolivia sot ka një president të ri, i cili, pavarësisht së shkuarës së tij të diskutueshme, është zotuar të rregullojë një shtet të rrënuar, të cilin në një intervistë për CNN-in pas zgjedhjeve e përshkroi si "të mbrapshtë." Korrupsioni ka arritur përmasa të tilla, saqë kontraktorët qeveritarë dërguar jashtë për të blerë naftë për të zbutur krizën e karburantit janë zhdukur me fondet, duke i lënë kamionistët bolivianë të bllokuar. Një inxhinier aeronautik që propozoi një ndërmarrje të përbashkët për prodhimin e avionëve të vegjël u dëbua nga zyra presidenciale sepse ryshfeti që ofroi nuk ishte mjaftueshëm i madh.

Ndërsa ekonomia ndalon për mungesë dollarësh, narkotrafikantët po grumbullojnë fitime nga prodhimi i kokainës që është katërfishuar, dhe shefi i njësisë së policisë kundër narkotikëve u kap duke drejtuar një laborator kokaine. Rezervat e arit të një vendi që vetë nxjerr ar janë pothuajse bosh. Puset e gazit janë tharë për shkak të mungesës së investimeve, ndërsa të ardhurat e tyre janë shpërdoruar në shpenzime publike të pamatura dhe korrupsion. Presidenti i sapozgjedhur, Rodrigo Paz, udhëtoi javën e kaluar në Uashington për të kërkuar ndihmë nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, duke rënë dakord të lejojë rikthimin e DEA-s në Bolivi në këmbim të ndihmës urgjente.

Trump kohët e fundit urdhëroi një hetim të shumëpritur nga Departamenti i Drejtësisë mbi lidhjet e rrjetit të Sorosit me ANTIFA-n, e caktuar si organizatë terroriste. Seamus Bruner nga Instituti i Llogaridhënies Qeveritare i tha Shtëpisë së Bardhë, gjatë një informimi publik, se Fondacioni Shoqëria e Hapur ka kanalizuar mbi 60 milionë dollarë drejt grupeve të lidhura me ANTIFA-n, të organizuara si "Riot Inc."

Të shtënat, sulmet ndaj policisë dhe rrethimet e institucioneve federale janë bërë rutinë e përditshme në Portland, Minneapolis, Los Angeles, Chicago dhe qytete të tjera të drejtuara nga kryebashkiakë demokratë, duke i kthyer ato në xhungla urbane të ngjashme me Chapare-n. Nju Jorku mund të jetë i radhës, me zgjedhjen e Zorhan Mamdanit, i financuar nga Sorosi përmes PAC-eve të lidhura me Fondacionin Shoqëria e Hapur, sipas një hetimi të Fox News.

Ashtu si në Bolivi, edhe këtu përfshihet ekspertiza e provuar e Kubës në dhunë subversive. Gjatë vitit të fundit ka pasur shkëmbime të intensifikuara mes Havanës dhe aktivistëve të ekstremit të majtë amerikan. Krerë të degës së Salt Lake City të "Armed Queers", të implikuar në atentatin ndaj Charlie Kirk, kanë vizituar Kubën bashkë me grupe të tjera militante për t'u takuar me zyrtarë të lartë të regjimit. Sipas një raporti të fundit të Washington Examiner, Venezuela ka dhënë 20 milionë dollarë në vitin 2012 për të nisur lëvizjen BLM.

Ka madje edhe jehona të kushtetutës "Plurinacionale" të Bolivisë. Projekti "1619", i promovuar nga Harvard dhe The New York Times, që kërkon të vendosë si vit themelimi të Amerikës atë të ardhjes së skllevërve të parë afrikanë, duket qartë se synon të krijojë bazë për të rrëzuar Kushtetutën e SHBA-së të shkruar nga kolonët e bardhë një shekull e gjysmë më vonë. Kur Mbreti Charles III hapi së fundmi parlamentin e Kanadasë me një fjalim të përgatitur nga kryeministri liberal, globalisti Mark Carney, fjalët e tij të para ishin: "Dëshiroj të pranoj se jemi mbledhur në territorin e pashitur të popullit Algonquin Anishinaabeg."

Zelli i Sorosit për të shpërbërë identitetet, kufijtë dhe vlerat kombëtare të Perëndimit është "zvarranik," siç e përshkroi Nancy Pelosi përpjekjen e pandalshme të prokurorëve të tij shtetërorë për ta futur Trump-in në burg.

"Sorozilla" është në marshim dhe ndoshta do ta kishte marrë pushtetin tashmë nëse Kamala Harris do të kishte fituar zgjedhjet e vitit 2024, të cilat i humbi me rreth dy për qind të votës popullore. Me "Quintanët" amerikanë të vendosur në SEC, Thesar, Pentagon, CIA, FBI dhe të gjitha agjencitë kryesore qeveritare, Sorosi mund të rrëzonte dollarin, të luante me bursën për përfitime të mëdha dhe të likuidonte pasuritë e tij në marrëveshje të ndryshme me Kinën. Pamjet paraprake të orgjisë kanibale që mund të pasonin do të ishin më mirë të mbaheshin në "dark web".

Ndalimi i Sorosit duhet të mbetet prioritet për administratën Trump dhe konservatorët në Kongres. Paditë, hetimet, aktakuzat dhe zbulimet skandaloze mund të përplasen fillimisht mbi lëkurën e tij të trashë e me luspa, të përbërë nga OJQ-të e kompani guaskë, si plumbat dhe raketat që godisnin Godzillën. Në film, përbindëshi në fund mposhtet nga një sulm ajror me B-1, dhe nëse një veprim i ngjashëm ligjor nuk ndërmerret për të shkatërruar rrjetin e Sorosit, një "Sorozilla" i vogël që sapo ka dalë nga veza mund të sjellë edhe makthe më të këqija./The Spectator - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco