Në Hungari, grupi mediatik pro-Orban blen tabloidin kryesor 'Blikk'

Në Hungari, grupi mediatik pro-Orban blen tabloidin kryesor 'Blikk'

21:26, 07/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Grupi mediatik hungarez Indamedia ka blerë javën e kaluar një portofol mediash që përfshin edhe gazetën më të madhe tabloide të vendit, Blikk, duke zgjeruar më tej ndikimin e bizneseve pranë qeverisë në peizazhin mediatik të Hungarisë.

Indamedia është në pronësi të përbashkët, me 50% të aksioneve që i përkasin biznesmenit pro-qeveritar Miklós Vaszily, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i kanalit televiziv privat TV2, i njohur për mbulimin e tij pro-qeveritar.

Marrëveshja vjen vetëm disa muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të prillit, ku kryeministri Viktor Orbán përballet me një sfidë të fortë nga partia e re opozitare e qendrës së djathtë Tisza, e cila aktualisht kryeson në shumicën e sondazheve.

Lideri i Tisza-s, Péter Magyar, e kritikoi marrëveshjen duke e quajtur “një përpjekje të radhës të Orbanit për të çimentuar kontrollin e tij mbi mediat hungareze”. Një zëdhënës i qeverisë nuk iu përgjigj pyetjeve me email lidhur me blerjen dhe komentet e Magyarit. Edhe Indamedia nuk ka dhënë ende ndonjë reagim publik.

Kontrolli i fortë mbi median ka qenë një element kyç në qëndrueshmërinë politike të Orbanit gjatë më shumë se 15 viteve në pushtet. Mediat shtetërore tashmë janë nën kontroll të plotë të qeverisë, ndërsa disa media private janë mbyllur ose janë marrë në pronësi nga biznesmenë miqësorë me qeverinë.

Bashkimi Evropian dhe organizatat pro-demokratike kanë akuzuar prej kohësh qeverinë e Orbanit për kufizimin e lirisë së medias dhe të drejtave të tjera demokratike — akuza që qeveria i ka mohuar vazhdimisht./ Reuters

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco