Vetëm disa orë pasi kritikoi ashpër strukturën e Partisë Demokratike në fjalimin e fitores, kryebashkiaku i zgjedhur i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, emëroi një ekip tranzicioni të përbërë tërësisht nga gra, me veterane që kanë shërbyer në administratat e mëparshme të Michael Bloomberg-ut, Eric Adamsit, Bill de Blasios dhe Joe Biden-it.
Ndër anëtaret e këtij ekipi tranzicioni është Lina Khan, ish-kryetare e Komisionit Federal të Tregtisë (FTC) gjatë administratës së Joe Biden-it. Gjatë kohës kur Khan drejtonte FTC-në, republikanët e akuzuan agjencinë për cenim të pavarësisë institucionale dhe të bashkëpunimit dypartiak, për bashkëpunim me rregullatorë të huaj në mënyrë që të dëmtonte kompanitë amerikane, për politizim të ligjeve antimonopol dhe për vendimmarrje të paligjshme rregullatore.
Ndër këto akuza përfshiheshin edhe pretendimet se Khan po anashkalonte stafin e karrierës në favor të punësimit të figurave të reja të ardhura nga organizata jofitimprurëse të financuara nga miliarderë liberalë si George Soros dhe Pierre Omidyar, ndërsa shtynte para një agjendë të fortë kundër monopoleve, të mbështetur nga këto grupe.
Vendimi i Mamdanit për ta emëruar Khan-in si njërën nga katër bashkëkryetaret e ekipit të tij të tranzicionit u mor vetëm disa orë pasi ai kritikoi zyrtarët e zgjedhur që "mendojnë më shumë për përfitime personale se për besimin e publikut."
"Për vite me radhë, ata në Bashkinë e Nju Jorkut kanë ndihmuar vetëm ata që mund t'i ndihmojnë," u tha ai mbështetësve të tij të martën në mbrëmje. "Por me 1 janar, do të sjellim një qeverisje për të gjithë qytetarët."
Megjithatë, emërimi i Khan-it ngre pikëpyetje për këtë zotim, duke pasur parasysh akuzat se ajo ka përdorur pozicionin për të favorizuar aleatët e vet, përfshirë edhe ish-bashkëpunëtorët e saj.
Gjatë drejtimit të saj në FTC, Khan emëroi Sarah Millerin si "këshilltare të posaçme" dhe më pas e ngriti në detyrën e shefes së kabinetit. Miller kishte drejtuar më parë grupin e avokatisë antimonopol American Economic Liberties Project (AELP), i cili, sipas dokumenteve tatimore dhe bazave të të dhënave të granteve, ka marrë midis 200,000 dhe 500,000 dollarë nga Open Society Foundations e Sorosit, Omidyar Network dhe Ford Foundation.
Miller është e martuar me ish-ndihmësin e Bernie Sanders, Faiz Shakir, themelues i një tjetër organizate avokatie antitrust të quajtur More Perfect Union (MPU). MPU dhe krahu i tij i lidhur i avokatisë, More Perfect Union Action, kanë marrë gjithashtu qindra mijëra dollarë nga rrjetet e Sorosit, Omidyar-it dhe Fordit. Kur Miller u bashkua me FTC-në, grupi i saj i mëparshëm AELP e emëroi bashkëshortin e saj Shakir si drejtues të përkohshëm, ndërsa në të njëjtën kohë AELP ngriti në postin e administratores së deleguar Nidhi Hedge-n, një ish-konsulente e Omidyar Network, sipas një njoftimi për shtyp në faqen e tyre, duke nënvizuar lidhjet e ngushta mes tyre.
Nën drejtimin e Khan-it, FTC-ja rekrutoi në heshtje disa punonjës nga një organizatë tjetër jofitimprurëse e financuar nga Sorosi, Omidyar dhe Ford Foundation, e quajtur AI Now Institute. FTC emëroi themeluesen e AI Now, Meredith Whittaker, si "këshilltare të lartë për inteligjencën artificiale" në vitin 2021, si dhe të paktën katër anëtarë të tjerë të këtij instituti në role këshilluese. Në një moment, thuhej se e gjithë organizata AI Now kishte qenë e angazhuar në një formë apo tjetër për të këshilluar komisionin.
Me kalimin e kohës, këshilltarët e AI Now pranë FTC-së janë përmendur disa herë për ndihmesën e tyre në hartimin e politikave dhe komunikimit publik, sipas faqes zyrtare të komisionit gjatë mandatit të Khan. FTC-ja madje duket se ka miratuar deklarata politike që përputheshin me analizat e AI Now.
Një tjetër këshilltar, që ishte rekrutuar për të ndihmuar komisionin nën drejtimin e Khan-it dhe që më parë kishte punuar në Democracy Fund, e mbështetur nga Omidyar, e pa përshkrimin e punës së tij të ndryshuar pak pas emërimit, duke përfshirë ndihmën për "përpjekjet e zbatimit" të komisionit. Profesori i së drejtës John Kwoka, gjithashtu këshilltar pranë komisionit gjatë mandatit të Khan, kishte shërbyer më parë si këshilltar në Open Markets Institute, ku vetë Khan kishte qenë drejtore e politikës ligjore. Rrjetet e Sorosit, Omidyar-it dhe Fordit kanë dhënë grante edhe për këtë institut.
Ndër kritikët e Khan-it gjatë kohës që drejtonte FTC-në ishte Christie Wilson, e vetmja komisionere republikane në agjenci, e cila në fund dha dorëheqjen për shkak të mënyrës së saj të drejtimit. Wilson e akuzoi Khan-in për shpërfillje të procedurave ligjore dhe të sundimit të ligjit, duke konfirmuar se ajo kishte anashkaluar profesionistët e karrierës në agjenci.
"Ish-kryetarja e FTC-së, Lina Khan, u bë sinonim i armiqësisë ndaj bizneseve të mëdha e të vogla gjatë administratës Biden dhe një nga figurat kryesore të të ashtuquajturës 'Bidenomics,'" tha strategu republikan Colin Reed kur u pyet për emërimet në ekipin e tranzicionit të Mamdanit. "Kryebashkiaku i ri po e thyen tashmë njërin nga premtimet e tij themelore për të ndryshuar status quo-në dhe për të sjellë një epokë të re."
Kur Fox News Digital kërkoi koment nga Khan për periudhën e saj në FTC, ajo u përgjigj shkurt: "S'kam koment."
Edhe strategu tjetër konservator nga Uashingtoni, Matt Gorman, kritikoi Mamdanin që pretendon të sjellë një epokë të re politike në Nju Jork, ndërkohë që "zgjedh nga e njëjta klasë politike e administratave të dështuara demokrate."
Përveç Khan-it, ekipi i tranzicionit tërësisht femëror i Mamdanit përfshin edhe veterane të Partisë Demokrate që kanë shërbyer në administratat e Bill de Blasios, Eric Adamsit dhe Michael Bloomberg-ut.
Bashkëkryetaret e tjera janë Maria Torres-Springer, ish-ndihmëse e lartë në administratat e de Blasios, Bloomberg-ut dhe Adamsit në largim; Melanie Hartzog, ish-drejtore e buxhetit të qytetit që ka shërbyer si zëvendëskryetare për Shëndetësi dhe Shërbime Sociale në kohën e de Blasios; dhe Grace Bonilla, ish-ndihmëse e Bloomberg-ut dhe de Blasios, e cila udhëhoqi Task Forcën për Barazi Racore dhe Përfshirje të këtij të fundit. / Fox News - Syri.net
© SYRI.net