Kongresi amerikan po e heton Sorosin për financimin e organizatës terroriste

Kongresi amerikan po e heton Sorosin për financimin e organizatës terroriste

10:57, 07/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

FOX NEWS

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Drejtësi, Jim Jordan, dhe Kryetari i Nënkomisionit për Kushtetutën, Chip Roy, po kërkojnë që organizatat jofitimprurëse liberale të dorëzojnë dokumente që lidhen me mbështetjen e supozuar për Antifa-n, ndërsa administrata e Trump-it vazhdon të ashpërsojë masat ndaj militantëve të së majtës.

Në letrat, të cilat janë siguruar nga Fox News Digital, ligjvënësit republikanë kanë kërkuar nga ‘Alliance for Global Justice’ (AFGJ) dhe ‘Open Society Foundations’ (OSF) të paraqesin komunikimet, të dhënat financiare dhe politikat e brendshme që lidhen me organizatat jofitimprurëse të lidhura me ‘Refuse Fascism’ dhe grupe të tjera të supozuara se kanë lidhje me ‘Antifa’-n — të cilën presidenti Donald Trump e shpalli këtë vit si një organizatë terroriste vendase.

Letra përmend raportime publike që pretendojnë se AFGJ “vepron si sponsor financiar për grupet e Antifa-s” dhe citon donacione ndaj ‘Refuse Fascism’, një grup që ishte kohët e fundit në Uashington, duke protestuar në përvjetorin e parë të zgjedhjes së Trump.

Sipas ‘Influence Watch’, ‘Refuse Fascism’ ka qenë e pranishme në shumë protesta të lidhura me ‘Antifa’-n gjatë viteve të fundit.

“Dhuna ekstreme e së majtës nga ‘Antifa’ nuk mund të justifikohet,” thuhet në letër. “AFGJ është drejtpërdrejt përgjegjëse për aktivitetet që zhvillohen nga projektet e saj, si dhe për përdorimin e fondeve të mbledhura në emër të atyre projekteve”.

Bordi Drejtues i ‘Refuse Fascism’ i tha Fox News Digital se qëndron pas misionit të deklaruar në faqen e vet zyrtare, duke iu referuar edhe një faqeje ku shpjegohen parimet e tyre.

“Sunsara Taylor, ashtu si të gjithë udhëheqësit e tjerë të ‘Refuse Fascism’, ka mbështetur gjithmonë vetëm mënyra paqësore për të përparuar misionin e RefuseFascism.org,” tha bordi.

Përveç ‘Refuse Fascism’, ligjvënësit shprehën shqetësim edhe për sponsorizimin nga AFGJ të grupit Samidoun, të cilin Departamenti i Thesarit të SHBA-së e ka përshkruar si “një bamirësi të rreme” për Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP) — një organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

‘Alliance for Global Justice’, një grup liberal avokatie që është vënë nën vëzhgim për ndihmën e supozuar ndaj terrorizmit palestinez dhe për mbështetjen e lëvizjes antisemitike ‘Boycott, Divestment, and Sanctions’ (BDS), ka marrë 250.000 dollarë në vitin 2020 nga ‘Foundation to Promote Open Society’ (FPOS) — krahu që ofron grante i ‘Open Society Foundations’ (OSF) të George Soros-it — sipas formularëve tatimorë të grupit, raportoi Fox News Digital në vitin 2022.

Në letrën drejtuar Open Society Foundations, komisioni shkruante:

“Sipas një raporti të fundit nga ‘Capital Research Center’, që nga viti 2016, OSF ka dhuruar mbi 80 milionë dollarë për organizata ekstremiste që mbështesin ose angazhohen në terrorizëm apo dhunë ekstremiste”.

“Veçanërisht shqetësuese është se OSF ka dhuruar ‘të paktën 2 milionë dollarë’ për ‘Sunrise Movement’, një grup i lidhur ngushtë me ‘Antifa’-n. Sipas raportit të ‘Capital Research Center’, ‘Sunrise Movement’ ka mbështetur dhe kërkuar fonde për terroristët anarkistë të lidhur me ‘Antifa’-n në koalicionin ‘Stop Cop City/Defend the Atlanta Forest’, të cilët, në vitin 2023, sulmuan me dhunë oficerët e rendit dhe punëtorët e shërbimeve publike që po ndërtonin një qendër trajnimi për policët dhe zjarrfikësit pranë Atlantës.

Gjatë përleshjes, terroristët e ‘Antifa’-s hodhën kokteje molotovi, tulla dhe gurë ndaj forcave të rendit, tentuan t’i verbojnë me lazer, dhe dogjën pajisje ndërtimi si dhe një makinë policie, mes shumë veprimesh të tjera të dhunshme. Prokurorët më vonë ngritën akuza për terrorizëm të brendshëm ndaj më shumë se një personi të përfshirë në sulmet”.

Lidhjet e supozuara të AFGJ me protestat anti-izraelite që shpërthyen në kampuset universitare pas sulmit terrorist të Hamas-it më 7 tetor u konsideruan mjaft shqetësuese për të nxitur Kryetarin Republikan të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Mjete dhe Mënyra, Jason Smith, që muajin e kaluar të kërkonte nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS) heqjen e statusit të tyre si organizatë e përjashtuar nga taksat.

“Në dritën e përvjetorit të sulmit të dhunshëm të tetorit 2023 ndaj Izraelit, së bashku me aktet e fundit të dhunës politike dhe aktivitetet përçarëse të vazhdueshme nga organizata të identifikuara më parë që kanë shkaktuar kaos në Shtetet e Bashkuara dhe që kanë lidhje me grupe të huaja të shpallura terroriste, është thelbësore të merren masa për të siguruar që organizatat e përjashtuara nga taksat të veprojnë brenda qëllimit të tyre ligjor,” tha Smith në atë kohë.

Fox News Digital kontaktoi me AFGJ dhe ‘Open Society Foundations’ për koment.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco