Presidentja e Bundestagut gjerman, Julia Klöckner, ka bërë thirrje për ndalimin e prostitucionit dhe blerjes së shërbimeve seksuale në Gjermani, duke e cilësuar vendin si “bordello e Evropës”.
Duke folur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Heroinat” (Heldinnen-Award), organizuar nga Fondacioni Alice Schwarzer, Klöckner kritikoi ashpër legjislacionin aktual që lejon dhe rregullon prostitucionin, duke thënë se ky sistem “nuk mbron gratë, por i ekspozon ndaj dhunës dhe shfrytëzimit”.
“Kur flasim për të drejtat e grave, por themi se prostitucioni është një profesion si çdo tjetër, kjo nuk është vetëm qesharake, por edhe një akt zhvlerësimi i grave,” – deklaroi Klöckner.
“Nuk ka stazh për praktikantët në këtë profesion. Gjermania është bordello e Evropës.”
Klöckner u shpreh se është “absolutisht e bindur” që vendi duhet të ndjekë modelin nordik, të aplikuar në Suedi dhe Norvegji, ku blerja e shërbimeve seksuale është e paligjshme, ndërsa prostitutat nuk ndëshkohen, por marrin mbështetje për t’u larguar nga industria e seksit dhe për të ndërtuar një jetë të re.
Sipas saj, ligjet aktuale – “Prostitutionsgesetz” dhe “Prostituiertenschutzgesetz” – nuk arrijnë të mbrojnë realisht gratë, duke lënë hapësirë për trafikim, detyrim dhe abuzim sistematik. “Sulmet e dhunshme, pushteti dërrmues i burrave dhe mungesa e pëlqimit vazhdojnë të jenë realitet i përditshëm,” – shtoi ajo.
Deklaratat e Klöckner kanë ndezur debat të gjerë në opinionin publik gjerman, ku për vite me radhë ekziston një ndarje e fortë mes atyre që kërkojnë legalizim dhe rregullim më të mirë të prostitucionit, dhe atyre që kërkojnë ndalimin e plotë të industrisë seksuale.
Modeli nordik, që Klöckner mbështet, synon ta zhvendosë barrën ligjore nga gratë te klientët dhe trafikantët, duke ndëshkuar blerjen e seksit, por jo shitjen e tij. Ai është konsideruar nga shumë aktivistë si mënyra më efektive për të luftuar shfrytëzimin dhe trafikimin e grave.
“Nuk mund të flasim për dinjitet dhe të drejta të grave, nëse në të njëjtën kohë e pranojmë që trupi i gruas mund të blihet si një shërbim. Kjo nuk është liri, është shfrytëzim,” – përfundoi Klöckner.
© SYRI.net