Komisioini Evropian këtë të mërkurë ka deklaruar se një rrjet hekurudhor me shpejtësi të lartë mund të jetë i mundur deri në vitin 2040. Më tej zbuloi planet për të shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit midis qyteteve të mëdha.
Komisioni Evropian skicoi një botë ku trenat mund të arrinin shpejtësi shumë mbi 250 km/orë për të siguruar lidhje më të shpejta në të gjithë kontinentin.
Nëse plani realizohet, pasagjerët e trenit mund të udhëtojnë midis kryeqyteteve gjermane dhe daneze në katër orë deri në vitin 2030, në vend të shtatë orëve që janë sot, ndërsa Sofja dhe Athina do të jenë vetëm gjashtë orë larg deri në vitin 2035, në vend të gati 14 orëve që janë.
Lidhjet e reja ndërkufitare do ta përshpejtonin ndjeshëm udhëtimin midis Talinit dhe Rigës në 1 orë e 45 minuta krahasuar me 6 orë e 10 minuta që është tani. Në anën tjetër të kontinentit, një udhëtim midis Lisbonës dhe Madridit do të shkurtohej në tre orë, nga nëntë që ishte.
Komisioni tha se rrjeti ekzistues hekurudhor me shpejtësi të lartë në Evropë, 12,128 km, ishte përqendruar kryesisht në katër shtete anëtare perëndimore të BE-së – Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë.
Ekspertët e jashtëm të cituar nga komisioni vlerësojnë se nevojiten 546 miliardë euro për të trefishuar madhësinë e rrjetit me shpejtësi të lartë, duke lejuar trenat të lëvizin me shpejtësi mbi 250 km/orë.
Si pjesë e një liste të gjatë veprimesh, ekzekutivi i BE-së ka premtuar një strategji financimi dhe do të kërkojë të përdorë fondet e BE-së për të nxitur qeveritë kombëtare dhe investimet private, në veçanti për të paguar për infrastrukturën dhe materialin lëvizës. Elementë të tjerë të planit përfshijnë sisteme të përmirësuara të sinjalizimit dhe biletave në të gjithë Evropën.
© SYRI.net