Nga Matthew Lynn
Qiratë do të ngrijnë, do të hapen ushqimore shtetërore, autobusët do të jenë falas, do të ketë ndihmë për kujdesin ndaj fëmijëve, dhe e gjitha kjo do të financohet me taksa më të larta për kompanitë dhe të pasurit. Zohran Mamdani sapo ka arritur një fitore mahnitëse, me një platformë që, të paktën sipas standardeve të politikës amerikane, e vendos atë në ekstremin e majtë. Por ka vetëm një pengesë. Ajo që Leon Trocki mund ta kishte përçmuar si "socializëm në një qytet" thjesht nuk do të funksionojë. Përkundrazi, do ta shtypë Nju Jorkun.
Nuk ka dyshim për përmasat e kësaj arritjeje. Nga asgjëja, 34-vjeçari Mamdani është bërë ylli i ri i politikës amerikane. Ai jo vetëm që ka fituar me një shumicë dërrmuese në Nju Jork, por është shndërruar në një forcë në rritje brenda Partisë Demokrate. Me presidentin Trump që e zhvendos Partinë Republikane më djathtas, Mamdani mund të jetë në prag të udhëheqjes së demokratëve drejt së majtës populiste. Me qëndrimin e tij të qetë dhe me mjeshtërinë e tij për rrjetet sociale, ai po shfaqet si zëri i brezit të mijëvjeçarëve.
Problemi është se do t'i duhet ta drejtojë Nju Jorkun me sukses, dhe kjo do të rezultojë shumë më e vështirë nga ç'e imagjinojnë mbështetësit e tij. Si fillim, lloji i ekonomisë socialiste që ai promovon është provuar dhe ka dështuar shumë herë në të shkuarën. Që në vitet 1970, ekonomisti suedez Assar Lindbeck e përshkroi me sarkazëm kontrollin e qirave si "teknika më efikase që njihet sot për të shkatërruar një qytet, përveç bombardimit", dhe përpjekjet e pafundme që nga ajo kohë vetëm sa e kanë vërtetuar këtë. Kontrolli ekzistues i qirave në Nju Jork tashmë akuzohet se i ka çuar çmimet e apartamenteve në stratosferë dhe rregulloret e reja do ta përkeqësojnë edhe më shumë situatën.
Ndërkohë, është e vështirë të imagjinohet se ushqimoret shtetërore do të jenë më të mira se Walmart, pothuajse me siguri do të jenë po aq të pafrytshme sa çdo ndërmarrje tjetër shtetërore. Sa për autobusët falas, kërkesa do ta tejkalojë menjëherë ofertën dhe radhët do të jenë mënyra e vetme për të racionuar shërbimin. Duke i mbledhur të gjitha këto, "Berlini Lindor në lumin Hudson" vështirë se do të jetë një histori suksesi.
"Socializmi demokratik" i Mamdanit do të jetë sidomos shkatërrues në një qytet me kufij plotësisht të hapur. Ai nuk mund t'i rrisë vetë taksat mbi të ardhurat dhe korporatat, por nëse arrin t'i realizojë synimet e veta, atëherë kompanitë dhe "të pasurit" thjesht do të zhvendosen në Florida apo Teksas (ashtu siç shumë prej tyre tashmë kanë kërcënuar të bëjnë). Ata nuk do të qëndrojnë vetëm për të mbushur arkat e bashkisë dhe ai nuk do të ketë asnjë mënyrë për ta ndaluar këtë eksod.
Së fundi, qeveria federale nuk mund të lejojë një Nju Jork që është vendosur të vetëshkatërrohet. Shteti i Nju Jorkut përbën pothuajse 8% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar dhe pjesa më e madhe e tij gjenerohet brenda qytetit të Nju Jorkut. Më e rëndësishmja, qyteti është qendra financiare dhe tregtare e kontinentit amerikan, shtëpia e bursës dhe e të gjitha bankave dhe kompanive më të mëdha tregtare, si edhe e shumë prej konglomerateve më të mëdha.
Kështu, Mamdani do të jetë në luftë me Uashingtonin, dhe sado tërheqës të jetë profili i tij në TikTok, kjo është një betejë që ai me siguri do ta humbasë. Kushtetuta i jep presidentit shumë më tepër pushtet sesa çdo kryetar bashkie, dhe ky president nuk do të ngurrojë aspak ta përdorë atë për të shkatërruar një kundërshtar që e ka quajtur tashmë "komunist".
Qyteti do të mbetet pa mbështetje, dhe pikërisht në kohën kur kompanitë janë duke u larguar, qytetarët më të pasur po dalin jashtë, dhe kur ai ka premtuar pafund "gjëra falas", kryebashkiaku i ri do të duhet të gjejë mënyra për të mbledhur të ardhurat tatimore për të përmbushur premtimet.
Sigurisht, Nju Jorku ka shumë më tepër kapital se shumica e vendeve të tjera, dhe për ta parafrazuar Adam Smithin, "ka goxha shkatërrim" në një qytet". E megjithatë, asgjë nuk e pengon Nju Jorkun të ndjekë fatin e Detroitit dhe në fund të dështojë.
Shumë nga votuesit që vërshuan drejt qendrave të votimit do të ndihen mirë me veten për zgjedhjen e një kryebashkiaku socialist karizmatik, i cili do të sfidojë një president që ata e urrejnë. Por ai është gati ta shkatërrojë qytetin e tyre dhe ata që do të vuajnë më shumë do të jenë pikërisht qytetarët e zakonshëm të Nju Jorkut. / The Telegraph – Syri.net
© SYRI.net