Kjo e martë është dita e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qytetarët në New York u janë drejtuar qendrave të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë, ndërsa shtetet e Virginia’s dhe New Jersey po vendosin për guvernatorët e rinj. Ndërkohë, në Kaliforni, votuesit do të shprehen nëse do të rishkruhen hartat elektorale për zonat e përfaqësimit në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.
Edhe pse quhet një “vit jashtë ciklit”, pasi nuk zhvillohen zgjedhje presidenciale apo për Kongresin federal, gara e sotme konsiderohet një test i rëndësishëm politik për vitin e ardhshëm.
Gara për kryetar bashkie në New York
Në qendër të vëmendjes është gara për drejtimin e qytetit më të madh të vendit. Kandidati demokrat Zohran Mamdani, 34 vjeç, përfaqësues i krahut progresist, përballet me ish-guvernatorin Andrew Cuomo, përfaqësues i brezit të vjetër të Partisë Demokratike.
Mamdani, një demokrat socialist, tronditi skenën politike kur mposhti Cuomon në zgjedhjet paraprake të demokratëve këtë verë. Pavarësisht humbjes, Cuomo ka vazhduar fushatën si kandidat i pavarur, ndërsa republikani Curtis Sliwa ka refuzuar të tërhiqet nga gara për t’i hapur rrugë ish-guvernatorit.
Nëse Mamdani fiton, ai do të bëhet myslimani i parë që drejton qytetin e New York-ut dhe kryetari më i ri në më shumë se një shekull. Fushata e tij është përqendruar në çështje që prekin drejtpërdrejt jetesën e qytetarëve si qiratë, çmimet e ushqimeve dhe pagat, çështje që demokratët në mbarë vendin po i ndjekin me interes për zgjedhjet e ardhshme.
Megjithëse sondazhet e vendosin Mamdanin përpara, diferenca me Cuomon është ngushtuar ndjeshëm. Ish-guvernatori e ka akuzuar rivalin e tij për mungesë përvoje dhe qëndrime të buta ndaj krimit e sigurisë publike.
Kalifornia dhe rishikimi i hartave elektorale
Në Kaliforni, votuesit po vendosin për Propozimin 50, i cili do t’i lejonte autoritetet të rishkruajnë hartat elektorale të shtetit përpara afatit dhjetëvjeçar. Kjo nismë e paprecedentë po mbështetet nga guvernatori demokrat Gavin Newsom, i cili kërkon të kundërbalancojë përpjekjet e disa shteteve republikane për të riorganizuar zonat zgjedhore në favor të partisë së tyre.
Sipas Los Angeles Times, fushata për propozimin ka mbledhur rreth 158 milionë dollarë, me demokratët që kanë siguruar fonde shumë më të mëdha se republikanët. Një sondazh i Universitetit të Kalifornisë në Berkeley tregon se 60% e votuesve mbështesin Propozimin 50, ndërsa 38% janë kundër. Mbështetja është ndarë në linja të qarta partiake: 93% e demokratëve janë “pro”, kundrejt 91% të republikanëve që janë “kundër”.
Gara për guvernator në New Jersey
Edhe pse konsiderohet një shtet tradicionalisht demokrat, gara për guvernatorin e New Jersey është e ngushtë mes demokrates Mikie Sherrill dhe republikanit Jack Ciattarelli.
Sherrill është aktualisht anëtare e Kongresit, ndërsa Ciattarelli ka shërbyer më parë si deputet i Asamblesë së shtetit. Gara ka tërhequr vëmendjen e figurave të njohura kombëtare: ish-presidenti Barack Obama dhe ish-sekretari i transportit Pete Buttigieg kanë mbështetur Sherrillin, ndërsa ish-presidenti Donald Trump ka marrë pjesë në një tubim virtual në mbështetje të Ciattarellit.
Virxhinia drejt guvernatores së parë femër
Në Virxhinia, zgjedhjet për guvernator pritet të jenë tregues i qëndrimeve politike të elektoratit amerikan. Cilado që të fitojë, shteti do të zgjedhë për herë të parë një grua në krye të ekzekutivit.
Demokratja Abigail Spanberger, kongresmene, përballet me republikane Winsome Earle-Sears, aktualisht nënpresidente e shtetit. Nëse fiton, Earle-Sears do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë që udhëheq një shtet në historinë e SHBA-së.
Spanberger ka kritikuar shkurtimet e qeverisë federale nën administratën Trump, të cilat sipas saj kanë prekur rëndë ekonominë e Virxhinias, ndërsa Earle-Sears ka theksuar sukseset e ekonomisë nën drejtimin republikan dhe ka thelluar debatet mbi çështje kulturore si të drejtat e personave transgjinorë.
Faktori Trump
Edhe pse nuk është në fletëvotim, presidenti Donald Trump mbetet një figurë qendrore në zgjedhjet e sotme. Në një intervistë për programin 60 Minutes të CBS, Trump tha se “do ta kishte të vështirë të dërgonte fonde federale në Nju Jork nëse qyteti drejtohet nga një komunist”, duke iu referuar Mamdanit, i cili ka hedhur poshtë etiketën.
Trump ka ndikuar gjithashtu në betejat politike në Kaliforni dhe Nju Xhersi, duke mbështetur hapur republikanin Ciattarelli dhe duke nxitur nismën për rishikimin e hartave elektorale në shtetet e drejtuara nga republikanët.
Deri në mbylljen e qendrave të votimit, rezultati në këto gara do të shihet si një tregues i rëndësishëm për ecurinë e partive kryesore përpara zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2026.
© SYRI.net