Humbja e industrisë së çelikut mund t’i kushtojë Gjermanisë deri në 50 miliardë euro në vit, sipas një studimi të publikuar të martën.
Një analizë nga ekonomistë të Universitetit të Mannheimit, në të cilën DPA kishte qasje, pohon se ekonomia gjermane do të goditet rëndë nga kriza globale e çelikut nëse fabrikat vendase të çelikut mbyllen ose zhvendosen jashtë vendit.
Një skenar i tillë, në të cilin eksportuesit kryesorë të çelikut si Kina mund të ulnin në mënyrë drastike dërgesat në Evropë për shkak të konflikteve gjeopolitike ose problemeve të zinxhirit të furnizimit, do të çonte në një rritje të ndjeshme të çmimeve për industritë përkatëse në Gjermani.
Këto përfshijnë ndërtimin, prodhimin e metaleve, inxhinierinë mekanike dhe sektorin e automobilave, të cilat varen shumë nga çeliku.
“Rritja e kostos do të zvogëlonte prodhimin dhe kështu krijimin e vlerës në këta sektorë”, thuhet në studim.
Kriza do të ulë të ardhurat e familjeve dhe më pas konsumin e brendshëm.
"Por edhe një rënie graduale në industrinë e çelikut do të kishte pasoja ekonomike dhe politike", shkruan autorët e studimit Tom Krebs dhe Patrick Kaczmarczyk.
Qytetet dhe rajonet gjermane prodhuese të çelikut si Duisburg, Eisenhitenstadt, Bremen dhe Saarland do të prekeshin veçanërisht.
Rënia e prodhimit të çelikut ka edhe efekte politike, sipas studimit. Përvojat nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania tregojnë se rënia ekonomike në rajonet industriale shpesh shoqërohet me rritjen e lëvizjeve populiste.
“Kjo vlen edhe për Gjermaninë: një politikë që braktis industritë kryesore jo vetëm që dobëson ekonominë, por edhe stabilitetin demokratik”, thanë studiuesit.
© SYRI.net