Fondi sovran norvegjez, më i madhi në botë, është shprehur kundër paketës së shpërblimit prej 1 trilion dollarësh për Elon Musk. Norges Bank Investment Management (NBIM), një nga aksionerët më të mëdhenj të Tesla-s me rreth 1.2% të aksioneve, do të votojë mbi kompensimin e Musk më 6 nëntor, së bashku me aksionerët e tjerë të kompanisë.
Siç shkruan La Stampa, edhe disa fonde të tjera aksionere në kompaninë e makinave elektrike, i kanë bërë të ditura qëndrimet e tyre, si Baron Capital, e cila ka deklaruar se do ta mbështesë shpërblimin ndaj CEO-s së tyre. Ndërsa gjigantë të tjerë si BlackRock, Vanguard dhe State Street kanë zgjedhur të mos komentojnë. Deri më tani, fondi norvegjez është i vetmi që ka shprehur hapur qëndrim kundërshtues.
Megjithatë, këshilltarët përfaqësues të kompanive Glass Lewis dhe ISS kanë rekomanduar gjithashtu që aksionerët duhet ta kundërshtojnë një pagë kaq të lartë. Musk reagoi ashpër ndaj tyre, duke i quajtur “terroristë korporativë” në një intervistë.
Paketa dhe arsyet e refuzimit
Sipas një analize të Reuters, në realitet “thesari” i Elon Musk do të jetë pak më i vogël se 1 trilion dollarë. Duke marrë parasysh që kostoja e aksioneve llogaritet për një periudhë 10-vjeçare dhe do të zbatohet në momentin e shpërndarjes, vlera reale e paketës mund të jetë rreth 878 miliardë dollarë.
Në deklaratën zyrtare, fondi norvegjez ka shkruar: “Edhe pse vlerësojmë kontributin e rëndësishëm të zotit Musk si vizionar, jemi të shqetësuar për përmasat e përgjithshme të shpërblimit, efektin e hollimit të aksioneve dhe mungesën e mekanizmave për menaxhimin e rrezikut për personat kyç. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë një dialog konstruktiv me Tesla-n për këtë dhe çështje të tjera.”
Kërcënimet për dorëheqje
Në javët e fundit, Musk ka kërcënuar disa herë se do të largohet nga Tesla nëse aksionerët bllokojnë paketën e tij të pagës. Vitin e kaluar, fondi norvegjez kishte votuar kundër paketës prej 56 miliardë dollarësh të miratuar fillimisht në vitin 2018, duke e konsideruar atë si të tepruar.
Musk madje ka refuzuar ftesën për darkë nga drejtori i NBIM-së, Nicolai Tangen, i cili është edhe mik i tij personal.
Në një intervistë për Financial Times, kryetarja e bordit të Tesla-s, Robyn Denholm, e cila i ka kërkuar Musk të qëndrojë në kompani, tha se votimi i 6 nëntorit do të jetë vendimtar për ta mbajtur atë në krye të Tesla-s. Sipas saj, largimi i Musk “nuk do të ishte një rezultat i mirë”, por shtoi se “nuk do të bënim kurrë diçka të papritur apo të dëmshme vetëm për ta mbajtur atë.”
© SYRI.net