Katër të dyshuar për grabitjen në Muzeun e Luvrit janë akuzuar zyrtarisht dhe janë burgosur, mes të cilëve tre persona që besohet se janë pjesë e ekipit që hyri me forcë në muze dhe u largua me bizhuteritë mbretërore me vlerë 102 milionë dollarë.
Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, vuri në dukje “afërsinë” e dukshme mes të dyshuarve. Dy prej tyre rezultonin të dënuar më parë në vitin 2015 për të njëjtën çështje grabitjeje dhe të gjithë jetojnë në periferinë veriore të Parisit.
Associated Press shkruan se autoritetet njoftuan se bizhuteritë nuk janë gjetur ende dhe anëtari i katërt i grupit të quajtur “komando” është ende në arrati. Ministri i Brendshëm francez Laurent Nuñez tha se hetuesit po kërkojnë edhe personin që mund të ketë porositur krimin.
As emrat dhe as detajet biografike të të dyshuarve nuk janë bërë ende publike, në përputhje me ligjin francez që parashikon ruajtjen e fshehtësisë së hetimeve për të mos kompromentuar punën e policisë.
Çfarë dihet deri tani për të dyshuarit:
Një burrë 34-vjeçar i arrestuar në aeroportin e Parisit
Një shtetas algjerian 34-vjeçar, që jeton në Francë që nga viti 2010, dyshohet se është një nga dy hajdutët që hynë në Galerinë Apollo me prerëse disku për të çarë vitrinat dhe për të vjedhur bizhuteritë.
Ai u arrestua më 25 tetor, gjashtë ditë pas grabitjes, në aeroportin Charles de Gaulle, ndërsa po përpiqej të udhëtonte drejt Algjerisë pa biletë kthimi.
Jeton në Aubervilliers, një periferi në veri të Parisit, dhe është i njohur për policinë kryesisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe një rast vjedhjeje. ADN-ja e tij përputhej me një skuter të përdorur për arratisje.
I dyshuari u tha hetuesve se aktualisht është i papunë, por më parë ka punuar si pastrues dhe shpërndarës. Përballet me akuzat paraprake për vjedhje nga një grup i organizuar dhe komplot kriminal.
Një tjetër i dyshuar besohet se ka hyrë në Galerinë Apollo
Një burrë 39-vjeçar u arrestua gjithashtu më 25 tetor në shtëpinë e tij në Aubervilliers, ku ka lindur. Besohet se ky është personi i dytë që hyri në Galerinë Apollo. ADN-ja e tij u gjet në një nga vitrinat ku ishin ekspozuar bizhuteritë dhe në sendet e lëna pas nga hajdutët.
Personi është i njohur për policinë për disa raste vjedhjeje.
Ai pritet të dalë në gjyq më vonë këtë muaj për dëmtimin e një pasqyre dhe dere të qelisë së burgut ku mbahej për një hetim tjetër vjedhjeje, nga i cili më pas u shpall i pafajshëm. I dyshuari u tha hetuesve se punon si taksist pa licencë.
Përballet me akuzat paraprake për vjedhje nga një grup i organizuar dhe komplot kriminal.
Prokurorja Beccuau tha se të dy burrat dhanë deklarata “minimaliste” dhe “pranuan pjesërisht” përfshirjen në grabitjen e Luvrit.
Një burrë 37-vjeçar me precedent penal për vjedhje
Një burrë 37-vjeçar u arrestua të mërkurën, 10 ditë pas grabitjes.
Besohet se ky është anëtari i tretë i grupit prej katër vetash që mbërritën në muzeun e Luvrit me një kamion, të maskuar sikur po kryenin punime rinovimi për ta ndalur mjetin pranë muzeut. Katër personat u larguan me dy skutera drejt lindjes së Parisit.
ADN-ja e 37-vjeçarit u gjet brenda ashensorit.
Prokurorja e Parisit tha se ai e mohoi përfshirjen në grabitje.
Dosja e tij penale përmban 11 dënime të mëparshme, 10 prej tyre për vjedhje. Ai është dënuar në vitin 2015 në Paris për të njëjtën çështje me të dyshuarin 39-vjeçar.
Përballet me akuzat paraprake për vjedhje nga një grup i organizuar dhe komplot kriminal.
Një grua 38-vjeçare e akuzuar si bashkëpunëtore
Një grua 38-vjeçare e arrestuar të mërkurën është partnere prej kohësh e të dyshuarit 37-vjeçar. Ata kanë fëmijë së bashku dhe jetojnë në La Courneuve, në periferinë veriore të Parisit pranë Aubervilliers.
Sipas avokatit të saj, gruaja ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje.
Një sasi e vogël e ADN-së së saj është gjetur në ashensor, gjë që sipas prokurores së Parisit mund të jetë rezultat i “transferimit të ADN-së”, pra, ajo edhe mund ta ketë lënë ADN-në tek dikush ose në një objekt që më pas ka kaluar në ashensor.
Gruaja përballet me akuzat paraprake për bashkëpunim në vjedhje nga një grup i organizuar dhe komplot kriminal.
© SYRI.net