Një ngjarje e rëndë ka tronditur Britaninë mbrëmjen e djeshme, pasi një sulm me thikë në një tren të linjës LNER nga Doncaster drejt London King’s Cross la 11 persona të plagosur, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Treni u ndal urgjentisht në stacionin Huntingdon në Cambridgeshire, rreth orës 20:00 GMT, ku forcat e policisë dhe ambulancat ndërhynë menjëherë.
Pasagjerët treguan se momentet e sulmit ishin “si në një film horror”.
“E pashë dorën time dhe ishte e mbuluar me gjak”, tha një prej tyre për mediat britanike, duke përshkruar panikun që përfshiu gjithë vagonët.
Alistair Day, një prej dëshmitarëve që po kthehej nga një ndeshje futbolli, rrëfeu se u fsheh me pasagjerë të tjerë në vagonin e bufesë ndërsa një burrë me thikë përpiqej të hynte brenda.
“Fillimisht mendova se ishte ndonjë shaká, por më pas pashë njerëz me gjak mbi ta. Ishte e tmerrshme,” tha ai.
Një tjetër pasagjer, Joe, që po udhëtonte nga ndeshja Nottingham Forest – Manchester United, tha se gjithçka ndodhi në pak sekonda:
“Njerëzit vraponin dhe bërtisnin ‘duhet të vraponi’. Kur u ktheva, pashë një burrë të gjatë me një thikë të përgjakur. Gjaku ishte gjithandej.”
Pasagjerë të tjerë treguan se kanë vrapuar nëpër vagonë pa ditur ku të shkonin, nga frika se mos mbeteshin të bllokuar.
“Mendova: po sikur të mbarojnë vagonët? Çfarë ndodh nëse arrijmë në fund të trenit?” – tha Joe, i cili e përshkroi ngjarjen si një “situatë paniku total”.
Steve, që ndodhej në tren me dy fëmijët e tij, e përshkroi ngjarjen si “një skenar makthi”. Ai tha për BBC Radio 4 se treni u ndal dhe pasagjerët u hodhën jashtë në panik, duke vrapuar drejt stacionit dhe rrugëve përreth.
“Një çift i moshuar na strehoi në shtëpinë e tyre derisa ishte e sigurt të dilnim. Fëmijët janë të tronditur, por po e përballojnë,” tregoi ai.
Policia britanike konfirmoi se dy persona janë arrestuar në lidhje me ngjarjen, ndërsa hetimet për motivet e sulmit vijojnë. Autoritetet po punojnë për të përcaktuar nëse incidenti ka qenë i qëllimshëm apo i ndikuar nga probleme mendore.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik britanik dhe ka shtuar thirrjet për masa më të forta sigurie në transportin publik./BBC
© SYRI.net