Familjet e zemëruara fillojnë varrosjen e të vdekurve pasi bastisja e policisë në favelën e Rios vrau të paktën 132 persona

Familjet e zemëruara fillojnë varrosjen e të vdekurve pasi bastisja e policisë në favelën e Rios vrau të paktën 132 persona

15:32, 31/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 Familjet e dhjetëra personave të vrarë gjatë një operacioni policor në favelat e Rio de Janeiros kanë nisur varrimet, ndërsa komuniteti lokal është i tronditur dhe i zemëruar ndaj forcave të rendit, të akuzuara për përdorim të tepruar të forcës, torturë dhe vrasje jashtëgjyqësore.

Sipas zyrës së avokatëve publikë të shtetit të Rio de Janeiros, të paktën 132 persona u vranë, përfshirë katër policë, gjatë bastisjes së zhvilluar të martën. Kjo shifër e bën operacionin më vdekjeprurës në historinë e Brazilit modern.

Operacioni, në të cilin morën pjesë rreth 2,500 policë dhe ushtarë, synonte goditjen e bandës së fuqishme Comando Vermelho (Komanda e Kuqe) në lagjet e varfra Complexo de Alemão dhe Complexo da Penha. Objektivat zyrtarë ishin kapja e drejtuesve të bandës dhe ndalimi i zgjerimit të saj territorial, ndërkohë që grupi ka forcuar kontrollin mbi disa prej favelave të qytetit vitet e fundit dhe ka shtrirë ndikimin edhe në rajonin e Amazonës.

Por, ajo që autoritetet e quajtën “operacion kundër narkoterrorizmit” – një term i përdorur nga guvernatori konservator Cláudio Castro – përfundoi me akuza të rënda për shkelje të të drejtave të njeriut dhe ekzekutime pa gjyq. “Ky nuk ishte një operacion, këto ishin vrasje. Ata nuk erdhën për të arrestuar, por për të vrarë,” tha një banor, ndërsa qindra njerëz shikonin trupat e viktimave të shtrirë në rrugët e favelës.

Në lagje, pasditen e së mërkurës, jeta filloi ngadalë të rifillonte. Disa dyqane dhe restorante u rihapën, por atmosfera mbeti e rënduar. “Erdha në punë sepse duhet, por shëndeti im mendor është i shkatërruar,” tha Monique Santiliano, 40 vjeç, pronare e një salloni bukurie.

Ministrja e të Drejtave të Njeriut, Macaé Evaristo, e kundërshtoi ashpër justifikimin e qeverisë së shtetit:

“Nuk ka kuptim të hyjmë në komunitetet tona dhe t’i ekspozojmë fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara ndaj një terrori të tillë. Lufta kundër krimit të organizuar duhet të godasë organizatorët dhe financuesit, jo banorët e varfër.”

Numri i lartë i viktimave ka shkaktuar reagime të forta brenda dhe jashtë Brazilit. Organizatat e të drejtave të njeriut dhe Kombet e Bashkuara kërkuan hetim të plotë dhe të pavarur. Gjykata e Lartë Federale ka urdhëruar guvernatorin Castro të japë shpjegime të detajuara për operacionin, ndërsa gjyqtari Alexandre de Moraes ka caktuar një seancë dëgjimore me autoritetet e sigurisë për javën e ardhshme.

Ndërsa disa politikanë të djathtë e vlerësuan aksionin si “një fitore kundër krimit të organizuar”, shumë të tjerë vunë në dyshim efektin e tij afatgjatë. Deputeti konservator Otoni de Paula tha:

“Nuk mund të mendojmë se shteti mund t’i japë policisë të drejtën për të vrarë këdo. Diferenca mes numrit të viktimave civile dhe atyre policore tregon se kemi të bëjmë me një ekzekutim masiv.”

Banorët e zonës raportuan pamje tronditëse – disa trupa të dekapituar, të tjerë me plagë shpimi ose me duar të lidhura.
“Ky brutalitet nuk mund të normalizohet vetëm sepse ndodhi këtu,” tha Ana Tobossi, aktiviste lokale. “Nëse vendi vazhdon ta duartrokasë këtë, do të ndodhë edhe diku tjetër.”

Në mesin e dëshpërimit dhe frikës, Paulo Roberto, një 16-vjeçar që shet pije jashtë stadiumit Maracanã, tha:

“Njerëzit nga jashtë do ta shohin këtë që ndodh në favela dhe nuk do të duan të vijnë më. Na bën të dukemi keq, edhe pse shumica prej nesh jemi vetëm njerëz që përpiqemi të mbijetojmë.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco