Administrata e Trump do të kufizojë numrin e refugjatëve që pranohen në SHBA në vetëm 7,500 në vit duke u dhënë përparësi afrikano-jugorëve të bardhë.
Ky vendim, i shpallur në një njoftim të publikuar të enjten, do të zbatohet për vitin e ardhshëm fiskal dhe përbën një shkurtim drastik krahasuar me kufirin e mëparshëm prej 125,000 refugjatësh të vendosur nga ish-presidenti Joe Biden.
Nuk është dhënë asnjë arsye zyrtare për këtë shkurtim të numrit, por në njoftim thuhet se ajo “është e justifikuar nga shqetësime humanitare ose për shkak se është në interesin kombëtar”.
Në janar 2025, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullonte Programin e Pranimit të Refugjatëve në SHBA (USRAP), duke argumentuar se ky hap do t’i lejonte autoritetet amerikane të vendosnin përparësi sigurisë kombëtare dhe rendit publik.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Federal Register, shkruhet se 7,500 pranime do t’u ndaheshin “kryesisht afrikanëve të bardhë nga Afrika e Jugut” dhe “viktimave të tjera të diskriminimit të paligjshëm apo të padrejtë në vendet e tyre përkatëse”.
Në maj, gjatë një takimi në Zyrën Ovale, Trump kritikoi presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, dhe pretendoi se fermerët e bardhë në vendin e tij po “vriteshin dhe përndiqeshin”.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu shfaqi një video që, sipas tyre, tregonte varreza të fermerëve të bardhë të vrarë. Trump tha se nuk e dinte saktësisht se ku në Afrikën e Jugut ishte filmuar ajo skenë.
Takimi i tensionuar ndodhi vetëm disa ditë pasi SHBA kishte dhënë azil për 60 persona. Më vonë u zbulua se pamjet ishin nga një protestë e vitit 2020, ku kryqet simbolizonin fermerët e vrarë ndër vite.
Në ditën e parë të marrjes së detyrës, më 20 janar, Trump deklaroi se SHBA do të pezullonte programin USRAP për të reflektuar “mungesën e aftësisë për të përthithur një numër të madh migrantësh, veçanërisht refugjatësh, në mënyrë që të mos cenohet disponueshmëria e burimeve për qytetarët amerikanë” dhe për të “mbrojtur sigurinë dhe jetën e tyre”.
Politika e re amerikane për pranimin e afrikanëve të bardhë nga Afrika e Jugut ka shkaktuar akuza për trajtim të padrejtë nga organizatat që mbrojnë të drejtat e refugjatëve.
Sipas disa grupeve, SHBA po mbyll dyert për grupe të tjera të përndjekura, përfshirë persona që përballen me rrezik në vendet e tyre ose ish-aleatë të forcave amerikane në Afganistan dhe Lindjen e Mesme.
“Kjo vendimmarrje jo vetëm ul kufirin e pranimeve të refugjatëve,” tha të enjten Krish O'Mara Vignarajah, drejtuese e organizatës Global Refuge. “Ajo ul standardin tonë moral.” /BBC - Syri.net/
© SYRI.net