Forcat e NATO-s kanë rrëzuar një dron të paidentifikuar pranë një baze të trupave amerikane në Estoni, vetëm 30 milje larg kufirit me Rusinë. Incidenti ndodhi më 17 tetor, kur dy dronë u pikasën duke fluturuar në afërsi të Kampit Reedo, ku ndodhet Regjimenti i 7-të i Kalorësisë, Skuadroni i 5-të i ushtrisë amerikane.
Sipas zëdhënëses së Forcave të Mbrojtjes së Estonisë, Liis Vaksmann, një nga dronët u rrëzua me një pushkë kundër dronëve, ndërsa tjetri u largua nga zona. Megjithë kërkimet intensive nga ekipet ushtarake dhe policore, rrënojat e dronit nuk janë gjetur ende.
Ngjarja ka ndodhur në një moment të ndjeshëm, teksa po shtohen tensionet mes NATO-s dhe Rusisë. Vetëm një muaj më parë, tre avionë rusë MiG-31 shkelën hapësirën ajrore të Estonisë mbi Gjirin e Finlandës, duke qëndruar aty për rreth 12 minuta.

Estonia, e konsideruar si një nga pikat më të cenueshme të krahut lindor të NATO-s, strehon aktualisht trupa amerikane dhe britanike në kuadër të forcave të parandalimit të Aleancës.
Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, kërkoi një reagim më të ashpër të NATO-s ndaj provokimeve të Moskës.
‘Mesazhi duhet të jetë i qartë: shkeljet e ardhshme do të marrin përgjigje, përfshirë, nëse është e nevojshme, edhe rrëzimin e avionëve pushtues. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e kufijve të Estonisë, por me mbrojtjen e kufijve të NATO-s,’ deklaroi Tsahkna.
© SYRI.net