Spanja përkujton përvjetorin e përmbytjeve shkatërruese në Valencia: viktimat kërkojnë ende drejtësi dhe përgjegjësi

Spanja përkujton përvjetorin e përmbytjeve shkatërruese në Valencia: viktimat kërkojnë ende drejtësi dhe përgjegjësi

08:27, 28/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një vit pas përmbytjeve tragjike që goditën rajonin e Valencias më 29 tetor 2024, Spanja vijon të përballet me pasojat më të rënda të katastrofës natyrore më vdekjeprurëse të gjysmës së fundit të shekullit. Fenomeni meteorologjik i njohur si DANA (Depresion i Aislado në Niveles Altos) shkaktoi përmbytje masive në provincat e Valencias, Castellón, Alicante, Murcia dhe pjesë të Andaluzisë lindore, duke lënë pas 229 të vdekur dhe mbi 40,000 persona të prekur.

Në pak orë, rrugë dhe lagje të tëra u përmbytën nga uji dhe balta, qindra shtëpi u shpallën të pabanueshme dhe mijëra automjete u shkatërruan. Pamjet e rrënojave, shtëpive të zhytura dhe automjeteve të përplasura mbetën në kujtesën kolektive si dëshmi e mungesës së parashikimit dhe menaxhimit efektiv të emergjencës.

Sipas ekspertëve, katastrofa u përkeqësua ndjeshëm nga mungesa e koordinimit institucional dhe vonesat në lëshimin e paralajmërimeve të emergjencës. Në shumë zona, alarmin e parë qytetarët e morën vetëm pasi përmbytjet kishin filluar, çka e bëri të pamundur evakuimin në kohë. Kritikët e kanë cilësuar reagimin e autoriteteve si të vonuar dhe të paorganizuar, duke kërkuar hetim për përgjegjësitë e institucioneve lokale dhe rajonale.

Një vit pas ngjarjes, familjet e viktimave dhe shoqatat qytetare vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe njohje zyrtare për të vdekurit. Protesta dhe nisma publike janë zhvilluar në Valencia dhe në Bruksel, ku përfaqësuesit e të prekurve kanë kërkuar mbështetje nga institucionet evropiane dhe auditim të fondeve të rindërtimit. “Ne nuk po kërkojmë para, por dinjitet, falje dhe të vërtetën,” është bërë motoja që përmbledh ndjenjën e shumë familjeve.

Ndërkohë, autoritetet qendrore kanë vënë në zbatim programe të reja për përmirësimin e sistemit të paralajmërimit dhe menaxhimit të emergjencave, si dhe për mbështetjen psikologjike të të mbijetuarve. Vetëm pas ndërhyrjes së qeverisë qendrore u krijuan njësi të specializuara për shëndetin mendor të viktimave të DANA-s, duke synuar t’u japin atyre kujdes të vazhdueshëm dhe profesional.

Fenomenet ekstreme të motit janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në gadishullin Iberik, çka ka nxitur debat publik për ndryshimet klimatike dhe mungesën e infrastrukturës së përshtatshme për t’u përballur me to. Sipas meteorologëve, DANA e 2024-s ishte shembulli më i qartë i pasojave që mund të sjellë kombinimi i motit ekstrem me mungesën e reagimit institucional.

Në përvjetorin e parë të tragjedisë, u zhvillua një ceremoni shtetërore për nder të viktimave, ndërsa komunitetet lokale vendosën kryqe simbolike në vendet ku humbën jetën më shumë njerëz. Por për shumë familje, përmbyllja e zisë mbetet e pamundur pa drejtësi dhe transparencë.

Një vit më vonë, kujtimi i asaj nate të tetorit mbetet një plagë e hapur për Valencian — një kujtesë se në epokën e krizës klimatike, neglizhenca njerëzore mund të jetë po aq fatale sa vetë stuhia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco