Ndryshimi i 'pabesueshëm' i Karabakut, dy vjet pasi ra në duart e Azerbajxhanit

Ndryshimi i 'pabesueshëm' i Karabakut, dy vjet pasi ra në duart e Azerbajxhanit

13:58, 27/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kur presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliev, e preu shiritin jeshil për ta përuruar Aeroportin Ndërkombëtar të Laçinit, në maj të vitit 2025, u shënua hapja e objektit të tretë modern të këtij lloji që nga viti 2021 në rajonet që vendi i tij i rimori prej armenëve etnikë.

Këto tri aeroporte ndodhen brenda një hapësire më të vogël se 100 kilometra larg njëri-tjetrit dhe mbeten pothuajse të papërdorura. Ato janë në mesin e shumë ndërtimeve që po zhvillohen në dhe përreth Nagorno-Karabakut.

Image
Aeroporti i Laçinit i fotografuar rreth kohës së hapjes së tij zyrtare në maj 2025.

Pothuajse e gjithë popullsia - prej më shumë se 100.000 armenësh etnikë - iku nga ky vend pas një sërë ofensivash ushtarake të nisura nga Bakuja, të cilat kulmuan me marrjen e plotë të kontrollit të Nagorno-Karabakut nga Azerbajxhani në shtator të vitit 2023.

Image
Një burrë lutet brenda Katedrales së Shenjtit Shpëtimtar në Shusha, e cila u dëmtua nga lufta, në tetor 2020, para eksodit masiv të popullsisë armene etnike nga Nagorno-Karabaku.

Nagorno-Karabaku ka qenë historikisht i banuar kryesisht nga armenë etnikë, por pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ai u njoh si pjesë e Azerbajxhanit.

Bakuja e ka promovuar “kthimin e madh” të azerbajxhanasve që kishin ikur gjatë Luftës së Parë të Nagorno-Karabakut, e cila shpërtheu në fund të viteve ‘80.

Image

Një xhami e re e fotografuar në mars të vitit 2025 në qarkun e rimarrë të Agdarës në Azerbajxhan.

Disa fotografi të fundit të objekteve të reja të hapura në dhe përreth Nagorno-Karabakut, të publikuara nga zyra e Alievit, shfaqin turma të vogla njerëzish që mblidhen për t’i shënuar ngjarjet.

Por, pamjet ajrore të rajoneve janë tronditëse, pjesërisht për shkak të boshllëkut të peizazheve që ato shfaqin.

Image
Një fshat i sapondërtuar në rajonin e Laçinit në Azerbajxhan, i fotografuar në maj të vitit 2025.

Ekonomisti azerbajxhanas, Toghrul Valiyev, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se Bakuja pretendon se 30.000 deri në 40.000 azerbajxhanas janë kthyer në këto rajone, por sipas tij, për shkak të kufizimeve të rrepta të udhëtimit në këtë zonë, “është e vështirë të gjenden të dhëna konkrete”.

Image
Një tjetër fshat i sapondërtuar në rrethin e Agdamit, i fotografuar në mars të vitit 2025.

Matteo Civillini është një nga gazetarët e pakët perëndimorë që kanë hyrë në këto territore. Ky gazetar italian raportoi nga Nagorno-Karabaku pas një turi zyrtar në prill të vitit 2024, para Samitit të Klimës COP 29.

Image
Kompleksi rekreativ i Laçinit gjatë kohës së hapjes së tij zyrtare në maj të vitit 2025.

Civillini tha për REL-in se mediat kaluan nëpër disa pika kontrolli sigurie, ku gazetarëve u kontrolloheshin dokumentet “në mënyrë të hollësishme”, para se të hynin.

Pasi hyri brenda, ai tha se rajoni kishte një “atmosferë të pabesueshme, disi distopike”, që i ngjante një kantieri të madh ndërtimi.

“Ishte befasuese sa pak njerëz dukej se jetonin aty”, theksoi ai.

Image
Një fshat në rrethin e Agdamit gjatë hapjes së tij zyrtare në maj të vitit 2025.

Civillini tha se i pa “vetëm disa makina të tjera në rrugë”, duke shtuar se “kishte një mospërputhje të dukshme midis shkallës së ndërtimit dhe nevojave reale lokale”.

Image
Kompleksi i stacionit hekurudhor dhe atij të autobusëve të Agdamit gjatë hapjes në maj të vitit 2025.

Banorëve azerbajxhanas që kishin ikur gjatë Luftës së Parë të Nagorno-Karabakut u janë ofruar banesa të financuara nga shteti, me kusht që të vendosen përfundimisht në tokat e rimarra. Shumë prej tyre kanë përmendur mungesën e vendeve të punës si pengesën kryesore për t’u kthyer.

Image
Presidenti Ilham Aliev (majtas) ndjek një shfaqje kulturore në Shusha (e njohur nga armenët si Shushi) në shtator të vitit 2025.

Një ish-banore e rajonit të Laçinit tha në një intervistë: “Nuk do ta merrja parasysh kthimin, sepse punën time e kam këtu në Baku”.

Banorë të tjerë të zhvendosur thonë se fshatrat e tyre janë bërë të panjohshëm për shkak të valës ndërtimore që ngjan me Dubain.

Image
Një xhami e restauruar rishtazi në rrethin e Agdamit në Azerbajxhan.

Një ish-banore e fshatit Xokali, që kishte ikur në vitet ‘90, i tha Shërbimit azerbajxhanas të REL-it se autoritetet po ndërtonin ndërtesa “të bukura, por nuk na lejonin të mbajmë as një pulë. Ne nuk jetonim në Moskë, jetonim [në një fshat]”, tha ajo.

Image

Një “Hark Fitoreje” është në ndërtim e sipër në Xankendi, qyteti më i madh i rajonit të Nagorno-Karabakut, i njohur më parë si Stepanakert gjatë kontrollit armen.

Parashikohet se një shumë e përgjithshme prej rreth 19.5 miliardë dollarësh do të shpenzohet për rindërtim dhe rikthim në dhe përreth Nagorno-Karabakut.

Image
Një autostradë e ndërtuar rishtazi pranë një rezervuari uji në rajonin Agdara, fotografuar në mars të vitit 2025.

Ekonomisti Valiyev thotë se vala masive e ndërtimit është pjesërisht një mënyrë për t’i “rishpërndarë burimet” nga fluksi i petrodollarëve që hyjnë në arkën e shtetit. “Më parë ishte Bakuja që rindërtohej”, tha ai, “ndërsa tani është Karabaku”./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco