Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka dalë triumfues në zgjedhjet e mesmandatit, duke shënuar një fitore të bujshme për partinë e tij “La Libertad Avanza”, e cila siguroi mbi 40 për qind të votave në nivel kombëtar.
Milei shpërtheu në festë në Buenos Aires, ku doli në skenë për të kënduar me entuziazëm himnin e tij të njohur death-metal, me titullin “Unë jam mbreti i një bote të humbur!”. I rrethuar nga mbështetës që brohorisnin dhe valëvitnin flamujt kombëtarë, presidenti deklaroi se Argjentina më në fund ka kthyer faqen ndaj dekadave të Peronizmit dhe politikave që e kanë zhytur vendin në borxhe.
Rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se partia e tij ka mposhtur koalicionin peronist “Fuerza Patria” pothuajse në të gjitha provincat, nga Córdoba e Santa Fe, deri në Tierra del Fuego në jug të vendit.
Një nga surprizat më të mëdha ishte fitorja në provincën e Buenos Airesit, bastioni tradicional i së majtës, ku vetëm në shtator Milei kishte humbur me një diferencë prej 14 pikësh.
Kjo fitore pritet të forcojë ndjeshëm pozitën e tij në parlament dhe t’i japë më shumë fuqi për të çuar përpara reformat ekonomike liberale që ka premtuar që nga fushata presidenciale.
© SYRI.net