Një djalë 8-vjeçar u përplas me një tramvaj në lagjen Neuhof të Strasburgut të enjten pasdite por fatmirësisht u shpëtua pa lëndime serioze falë ndërhyrjes së menjëhershme të zjarrfikësve.
Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale janë tronditëse. Në to shihet djali i vogël i bllokuar nën tramvaj, me vetëm këmbët që duken jashtë. Aksidenti ndodhi pak para orës 17:00 këtë të enjte, më 23 tetor, në qendër të Strasburgut (Bas-Rhin). Djali i vogël, 8 vjeç, u përplas me tramvajin e linjës C në stacionin Saint-Christophe, në lagjen Neuhof.
Kompania e transportit të Strasburgut (CTS) shpjegon se djali, kishte kaluar nëpër shinat e tramvajit ndërsa po udhëtonte me biçikletë bashkë me një shok. Shoferi i tramvajit reagoi menjëherë duke aktivizuar frenimin emergjent. Djali mbeti i bllokuar nën pjesën e përparme të tramvajit. Ai u mor nga shërbimet e emergjencës dhe u dërgua në spital, ku u konstatua se kishte pësuar vetëm lëndime të lehta.
Fëmija arriti të shpëtonte me lëndime të lehta falë shtatit të vogël. Kompania e transportit të Strasburgut kujton se tramvaji nuk mund të frenojë aq shpejt sa një makinë, ndaj përdoruesit duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm.
© SYRI.net