Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës kundër Edi Ramës, qytetarët e kalojnë natën para kryeministrisë

Trump bëri atë që Brukseli nuk arriti: Shkatërroi naftën ruse në Evropë

Trump bëri atë që Brukseli nuk arriti: Shkatërroi naftën ruse në Evropë

18:34, 25/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga 'Politico.eu

Lëvizja e papritur e Donald Trump për të vendosur sanksione ndaj kompanive më të mëdha të naftës ruse nuk do ta paralizojë makinerinë e luftës së Vladimir Putinit, por do ta ndihmojë Bashkimin Europian të heqë përfundimisht dorë nga nafta ruse.

Të mërkurën, (22 tetor) presidenti amerikan shpalli “sanksione të jashtëzakonshme” ndaj kompanive Lukoil dhe Rosneft, duke shënuar herën e parë që SHBA vendos masa ndëshkuese ndaj Moskës që prej ardhjes së tij në detyrë.

Detajet e masave të reja janë ende në përgatitje, por në thelb ato pritet t’i detyrojnë dy kompanitë të shesin asetet e tyre dhe të ndalojnë furnizimet e mbetura të naftës për Evropën.

“Ky është një hap i rëndësishëm,” tha Kimberly Donovan, eksperte për sanksionet në qendrën studimore Atlantic Council, duke shtuar se masat do t’i detyrojnë vendet dhe kompanitë evropiane që ende importojnë energji nga Rusia të rishikojnë kontratat e tyre deri më 21 nëntor, kur sanksionet hyjnë në fuqi.

Ky njoftim vjen një muaj pasi Trump kritikoi ashpër Evropën duke e quajtur “të pafalshme” faktin që vijon të blejë energji nga Rusia — burim që përbën rreth një të katërtën e të ardhurave të Kremlinit.

Në atë kohë, ai pati paralajmëruar: “Jam gati të vendos sanksione të mëdha ndaj Rusisë kur të gjitha vendet e NATO-s të bien dakord dhe të ndalojnë së bleri naftë nga Rusia.”
Tani, ai mbajti fjalën.

Dëmton, por nuk shkatërron

Për Moskën, sanksionet e reja do të kenë ndikim të menjëhershëm, por vështirë se do ta ndalojnë fushatën e saj ushtarake në Ukrainë.
Sipas ekonomistit David Fyfe nga kompania Argus Media, Rosneft dhe Lukoil përbëjnë rreth dy të tretat e 4.4 milionë fuçive naftë që Rusia eksporton çdo ditë.

Masat e reja mund të godasin “gjysmën” e këtyre furnizimeve, pasi ndalojnë kompanitë të shesin në dollarë amerikanë — valuta që përdoret pothuajse ekskluzivisht në tregtinë ndërkombëtare të naftës.

Për Lukoil, sanksionet pritet të kenë ndikim të ndjeshëm. Një ish-drejtues i kompanisë, që foli në kushte anonimiteti, tha se kompania mund të detyrohet të shesë pjesëmarrjet e saj në projekte jashtë vendit, nga Egjipti në Irak, gjë që mund të ulë deri në 20% të të ardhurave të saj.

Megjithatë, sipas Homayoun Falakshahi, analist i lartë i naftës në kompaninë Kpler, shumica e blerësve kinezë dhe indianë — partnerët më të mëdhenj tregtarë të Rusisë — do të vazhdojnë importet për shkak të çmimeve më të ulëta dhe mungesës së alternativave, veçanërisht për Kinën.

Pas një periudhe të shkurtër pezullimi, “shumica e blerësve do të kthehen sërish,” shtoi ai, duke përdorur rrugë alternative tregtare që fshehin origjinën ruse të karburantit.

“Kjo do ta komplikojë tregtinë dhe eksportet,” tha Vladimir Milov, ish-zëvendësministër i energjisë në Rusi dhe kritik i Putinit. “Por këto kompani tashmë kanë mekanizma alternativë pune, kështu që dëmi do të jetë i kufizuar.”

Të enjten, Putini pranoi se sanksionet e reja janë “serioze,” dhe I cilësoi ato si “një akt armiqësor që nuk ndihmon në forcimin e marrëdhënieve ruso-amerikane.”

Prania e zgjatur
Por një zonë ku masat e reja pritet të kenë ndikim më të qartë është Evropa.

Që prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, më shumë se tre vite më parë, Bashkimi Europian është përpjekur me ngulm të ndërpresë varësinë e tij nga energjia ruse.

Brukseli ka vendosur një embargo ndaj naftës, karburanteve dhe qymyrit rus që transportohen me det, dhe ka ulur pjesën e Rusisë në tregun europian të gazit nga 45% në 13%. (Tani po finalizon një ligj që synon ta çojë këtë përqindje në zero.)

Rosneft, e cila dikur zotëronte rafineri dhe kontrollonte rrjedhën e naftës drejt Gjermanisë, është pothuajse përjashtuar nga tregu europian pasi Berlini mori nën administrim degën e saj lokale në fund të vitit 2022.

“Ne supozojmë se masat e marra nga Shtetet e Bashkuara nuk synojnë degët e Rosneft në Gjermani, të cilat ndodhen nën administrimin e shteteve gjermane,” tha një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Ekonomisë.

Të enjten, BE-ja gjithashtu shtrëngoi sanksionet ndaj kompanisë së kontrolluar nga Kremlini.

Por situata është ndryshe për Lukoil. Kompania më e madhe private e naftës në Rusi zotëron qindra pika karburanti në të gjithë BE-në — rreth 200 vetëm në Belgjikë — si dhe rafineri gjigante në Rumani dhe Bullgari, dhe mban 45% të aksioneve në një impiant përpunimi karburantesh në Holandë.

Ajo gjithashtu furnizon me naftë Hungarinë dhe Sllovakinë, të cilat ende varen nga Rusia për 86% deri në 100% të importeve të tyre. Duke shfrytëzuar një përjashtim nga sanksionet, këto dy vende kanë refuzuar me ngulm të shkëputen nga Moska, pavarësisht presionit të madh nga BE-ja.

Deri më tani, Brukseli nuk ka arritur ta përfshijë Lukoil në listën e sanksioneve, edhe pse kompania është lidhur me raste të shmangies së tyre brenda BE-së.
As Rosneft dhe as Lukoil nuk iu përgjigjën kërkesave të POLITICO-s për koment.

Largimi nga Lukoil

Tani situata pritet të ndryshojë.

Departamenti Amerikan i Thesarit ka paralajmëruar se mund të vendosë sanksione ndaj kujtdo që bashkëpunon me kompanitë ruse — çka do të thotë se asnjë bankë evropiane nuk do të pranojë më të kryejë pagesa për to, tha ekspertja e sanksioneve Kimberly Donovan.

“Kjo do të dërgojë një sinjal të fuqishëm për bankat dhe bizneset evropiane se duhet të tërhiqen plotësisht nga këto marrëdhënie, përndryshe rrezikojnë të përballen me sanksione,” shtoi ajo.

Të enjten, Komisioni Europian njoftoi se po shqyrton gjithashtu ndalimin e transaksioneve me Lukoil.

Për Hungarinë dhe Sllovakinë, veçanërisht, sanksionet e reja kanë shkaktuar frikë se furnizimet me naftë mund të ndërpriten tërësisht.
Nëse zbatohen plotësisht, kjo “do të çonte në ndalimin e importeve,” pranoi një zyrtar sllovak, i cili tha se qeveria do të kërkojë “me shumë gjasa” një përjashtim nga Uashingtoni. Ministria e Jashtme e Hungarisë nuk komentoi.

Efektet e para të masave kanë nisur tashmë të ndihen. Kompania finlandeze e energjisë Neste pezulloi të enjten furnizimet me karburant për degën e Lukoil, Teboil, pas sanksioneve të reja nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Sekretari i shtetit për energjinë në Rumani, Cristian Bușoi, tha për POLITICO se Lukoil do të ketë “detyrimin” të shesë rafinerinë Petrotel në jug të vendit përpara afatit të muajit të ardhshëm. “Do të ishim të lumtur të mos kishim më Lukoil,” shtoi ai.

Edhe qeveria holandeze, sipas një burimi të njohur me çështjen, e sheh shitjen e shpejtë të pjesës së Lukoil në rafinerinë e Zeeland si “skenarin më të mundshëm.”

Në Bullgari, rafineria Neftochim në lindje të vendit do të “duhet të ndalojë operimin më 21 nëntor” nëse nuk shitet, tha Martin Vladimirov, analist i lartë energjie në Qendrën për Studimin e Demokracisë në Sofje. Ministria bullgare e Energjisë nuk pranoi të komentojë.

“Do të duhet të shiten,” përsëriti ish-drejtuesi i Lukoil, duke shtuar se për kompaninë kjo do të jetë “katastrofike.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco