Ekipet me uniforma blu janë të trajnuar për të lëvizuar mes gërmadhave në kërkim të të mbijetuarve. Këtë herë, ekipet turke të shpëtimit po përgatiten të ndërhyjnë për të gjetur trupat e groposur nën gërmadhat e një tërmeti nga dora e njeriut. Ankaraja është e gatshme të dërgojë 80 ekspertë për të mbështetur ata nga Egjipti e Katari: së bashku do të ndihmojnë Hamasin të gjejë trupat e 19 pengjeve që thonë se kanë humbur në kaosin e luftës dhe që duhet të ktheheshin në fazën e parë të marrëveshjes, raporton Il Corriere della Sera.
Mbështetja e Turqisë është ende pezull. Qeveria e Netanyahu’s nuk do që ta gjejë veten në anën tjetër të kufirit me një grup që i përgjigjet Erdogan sepse presidenti turk e ka sulmuar vazhdimisht kryeministrin izraelit, edhe përpara sulmeve në Gaza.
Prania e Katarit, sponsor i Hamasit dhe që mund të aplikojë presion ndaj xhihadistëve, shkakton shqetësime në shëërbimet e inteligjencës që nuk do të bëjë të njëjtin gabim si në 2018: asokohe, Netanyahu kishte autorizuar ambasadorin e tyre për t’i dërguar miliona dollarë Hamasit, para që Yahya Sinëar, i cili u vra një vit më parë, i kishte përdorur për të mbushur arsenalet e armëve dhe për masakrën e 7 tetorit 2023.
Burimet amerikane thonë se janë të gatshme t’u ofrojnë “para palestinezëve për të ndihmuar me kërkimet.” Ushtria izraelite ka përçuar përmes ndërmjetësve informacionin e grumbulluar gjatë pushtimit. Përgjatë muajve të luftës, thonë organizatat e të drejtave të njeriut, buldozerët izraelitë kanë nxjerrë trupa nga varrezat në Rripin e Gazës dhe i kanë dërguar në Izrael për analiza, me shpresën se mund të gjejnë ADN-në e pengjeve.
Një njësi e vogël e forcave speciale kishte detyrë të merrte material gjenetik nga të vdekurit që gjenin gjatë momenteve kur luftonin në tunelet e fshehura në rërë. Rikthimi i ushtarëve të vdekur është një premtim që Stafi i Përgjitshëm do që ta mbajë ndaj familjeve të cilat dërgojnë bijtë e tyre në shërbimin e detyruar ushtarak.
Izraelitët po mbajnë të paktën 2 mijë trupa palestinezë sipas vlerësimeve nga organizatat arabe. Ato mbahen në depo të akullta të Institutit të Mjekësisë Ligjore në periferi të Tel Avivit. Të tjerë që vdiqën në Bregun Perëndimor, janë të varrosur atje dhe të emërtuar me një numër që përkon me emrin e tyre në arkivën e ushtrisë. Sipas marrëveshjes, disa prej tyre do të kthehen: në spitalet e rrënuara të Gazës, po përpiqen të identifikojnë 90 trupat e parë të dërguar drejt Hamasit.
© SYRI.net