Dy burra janë paraqitur në gjykatë të akuzuar për vrasjen e këngëtarit Ian Watkins, ish-vokalistit të grupit rock britanik Lostprophets, i cili po vuante një dënim me 29 vite burg për abuzime të rënda seksuale ndaj fëmijëve. Watkins u vra në burgun Wakefield të shtunën në mëngjes, pak pas orës 09:30 sipas orës lokale.
Të akuzuarit janë Rashid Gedel, 25 vjeç, dhe Samuel Dodsworth, 43 vjeç. Të dy u paraqitën këtë të hënë para Gjykatës së Magjistraturës në Leeds, ku konfirmuan vetëm emrin dhe datëlindjen e tyre. Ata nuk dhanë asnjë deklaratë për fajësinë dhe u urdhëruan të paraqiten në Gjykatën e Lartë të Leeds-it të martën.

Kush ishte Ian Watkins?
Ian Watkins, 48 vjeç, u dënua në vitin 2013 për një seri krimesh seksuale kundër fëmijëve, përfshirë tentativën për përdhunimin e një foshnjeje. Ai kishte pranuar fajësinë për krime që përfshinin:
-Tentativë përdhunimi dhe sulm seksual ndaj një fëmije nën 13 vjeç
-Komplot për të përdhunuar një fëmijë
-Tre akuza për sulm seksual ndaj fëmijëve
-Shtatë akuza për marrjen, krijimin ose posedimin e imazheve të pahijshme të fëmijëve
-Një akuzë për posedim të një imazhi pornografik ekstrem që përfshinte një akt seksual me një kafshë
-Gjatë dënimit, gjykatësi Royce e përshkroi rastin si një prej më të tmerrshmëve dhe “me një thellësi të re të poshtërimit njerëzor”.
Watkins kishte qenë edhe më parë viktimë e një sulmi në burg në vitin 2023, por atëherë plagët e tij nuk ishin kërcënuese për jetën.
Historia e grupit Lostprophets
Grupi u formua në Pontypridd, Uells, në vitin 1997 dhe u bë një prej grupeve më të njohura në Mbretërinë e Bashkuar, me 11 këngë në Top 40 dhe një album që arriti vendin e parë mes viteve 2002 dhe 2010. Pas dënimit të Watkins, grupi u shpërbë menjëherë. Anëtarët e mbetur e përshkruan veten si “të zemëruar, të thyer dhe të neveritur” nga krimet e tij, duke shprehur mbështetjen për viktimat.
Rreth burgut Wakefield
Burgu me siguri të lartë në Wakefield është një prej institucioneve më famëkeqe në Britani dhe strehohen mbi 600 të dënuar, përfshirë disa nga kriminelët më të rrezikshëm të vendit. Raporti i fundit për gjendjen në burg, i publikuar muajin e kaluar, theksonte një rritje të ndjeshme të dhunës krahasuar me vitin 2022, si dhe probleme serioze me infrastrukturën dhe sistemet e sigurisë së jashtme.
Ndër të dënuarit e njohur që kanë vuajtur dënimin aty janë Roy Whiting (vrasësi i Sarah Payne), Reynhard Sinaga (autori i më shumë se 150 sulmeve seksuale ndaj burrave), si dhe ish të burgosur të njohur si Harold Shipman, Ian Huntley dhe Piran Ditta Khan./BBC
© SYRI.net