Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e dërgimit të raketave lundruese me rreze të gjatë 'Tomahawk' në Ukrainë, duke thënë se kjo do të përbënte 'një hap të ri agresiv' në luftën e saj kundër Rusisë.
I pyetur në bordin e Air Force One nëse do të dërgonte raketa Tomahawk në Ukrainë, Trump u përgjigj: “Do të shohim... Mund të ndodhë.”
Deklarata vjen pas një telefonate të dytë gjatë fundjavës mes Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ka kërkuar më shumë kapacitete ushtarake për të ndërmarrë kundërsulme ndaj forcave ruse.
Moska ka paralajmëruar më herët Uashingtonin të mos i ofrojë raketa me rreze të gjatë Kievit, duke thënë se një veprim i tillë do të sillte një përshkallëzim të madh të konfliktit dhe do të tensiononte marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Raketat Tomahawk kanë një rreze veprimi prej 2,500 kilometrash (1,500 milje), çka do të vendoste Moskën brenda distancës së goditjes nga Ukraina.
Duke folur me gazetarët gjatë udhëtimit të tij drejt Izraelit, Trump tha se mund të bisedojë me Rusinë në lidhje me kërkesën e Ukrainës për raketat Tomahawk.
“Kam mundësi t’u them atyre [Rusisë] se, nëse lufta nuk zgjidhet, mundet shumë mirë që t’i dërgojmë — mundet që jo, por mundet që po.”
“Mos vallë duan [rusët] që Tomahawk-ët të drejtohen drejt tyre? Nuk e besoj,” tha presidenti.
Kievi ka bërë disa herë kërkesa për raketa me rreze të gjatë, teksa shqyrton mundësinë për të goditur qytete ruse larg vijës së frontit të konfliktit të zgjatur.
Në telefonatat mes Zelenskyt dhe Trump-it është diskutuar për përpjekjet e Ukrainës për të forcuar aftësitë ushtarake, përfshirë mbrojtjen ajrore dhe armatimin me rreze të gjatë.
Qytetet ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev, kanë qenë vazhdimisht objektiv i bombardimeve të rënda ruse me dronë dhe raketa. Rusia ka synuar veçanërisht infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të shumta të energjisë elektrike.
Muajin e kaluar, i dërguari i posaçëm i Trump-it për Ukrainën, Keith Kellogg, sugjeroi se presidenti amerikan kishte autorizuar goditje të thella në territorin rus, duke i thënë Fox News: “Nuk ka më vende të sigurta” në luftën Rusi-Ukrainë.
Rusia, e cila nisi pushtimin e saj të plotë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, ka minimizuar ndikimin që mund të kenë raketat Tomahawk në rrjedhën e luftës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha muajin e kaluar: “Qoftë Tomahawk apo raketa të tjera, ato nuk do të jenë në gjendje të ndryshojnë dinamikën e luftës.”/BBC
© SYRI.net