Një tërmet me magnitudë 5.5 të shkallës Rihter ka goditur sot rajonin Mindano në Filipine, sipas njoftimit të Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC). Sipas të dhënave paraprake, lëkundjet janë regjistruar në një thellësi prej 60 kilometrash, ndërsa epiqendra ndodhej rreth 73 kilometra në verilindje të qytetit Mati, në provincën Davao Oriental, raporton Reuters.
Ngjarja e sotme vjen vetëm një ditë pas dy tërmeteve të fuqishme që tronditën vendin, ku të paktën shtatë persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Rreth 50 nxënës u lënduan në një shkollë të mesme, pasi paniku dhe dridhjet e forta shkaktuan kaos.
Tërmeti i parë, me magnitudë 7.4 ballë, provokoi rrëshqitje toke dhe nxiti evakuime masive në zonat bregdetare për shkak të frikës nga një cunami. Pak orë më pas, një tjetër tërmet me magnitudë 6.8 goditi rajonin.
Drejtuesja e Institutit Sizmologjik të Filipineve, Teresita Bacolcol, bëri të ditur se tërmetet kishin origjinë përgjatë Hendekut Filipinez, një zonë me aktivitet të lartë sizmik. Ndërkohë, u raportuan dëmtime në disa ndërtesa, përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar të Davaos, i cili megjithatë vijon të funksionojë normalisht.
Presidenti Ferdinand Marcos Jr. deklaroi se ekipet e emergjencës janë në terren dhe vlerësimet e dëmeve janë ende në zhvillim.
© SYRI.net