Gjysma e zogjve në botë po zhduken, shkencëtarët paralajmërojnë krizë të thellë të biodiversitetit

Gjysma e zogjve në botë po zhduken, shkencëtarët paralajmërojnë krizë të thellë të biodiversitetit

08:23, 11/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Më shumë se gjysma e të gjitha llojeve të shpendëve në botë po përballen me rënie të popullatës, me shpyllëzimin dhe zgjerimin e aktiviteteve njerëzore që po zhdukin habitatet e tyre natyrore, paralajmërojnë shkencëtarët në një raport të ri global.

Përpara samitit të ardhshëm për biodiversitetin që do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, ekspertët kanë dhënë një sinjal alarmi për krizën e thellë ekologjike: 61% e specieve të vlerësuara të zogjve janë në rënie, sipas një analize të publikuar nga “The Guardian”. Vetëm nëntë vjet më parë, kjo shifër ishte 44%, duke dëshmuar përshpejtimin dramatik të degradimit të ekosistemeve.

Zogjtë janë thelbësorë për ekuilibrin e natyrës — nga pjalmimi dhe shpërndarja e farave, deri te kontrolli i dëmtuesve — por zhdukja e habitateve po i çon shumë prej tyre drejt humbjes së pakthyeshme. “Tre nga pesë lloje zogjsh në botë kanë popullata në rënie. Kjo tregon sa e thellë është bërë kriza e biodiversitetit,” deklaroi Dr. Ian Barfield nga organizata BirdLife International.

Edhe Dr. Malin Rivers nga Shoqata Ndërkombëtare për Ruajtjen e Kopshteve Botanike paralajmëroi për lidhjen e ngushtë mes shpendëve dhe pyjeve: “Fati i zogjve dhe i pemëve është i ndërthurur: njëra specie nuk mund të mbijetojë pa tjetrën.”

Megjithatë, mes lajmeve shqetësuese, shkencëtarët sollën edhe një shembull suksesi: breshka e gjelbër e detit, një specie që dikur konsiderohej e rrezikuar, tani nuk përbën më shqetësim falë dekadave të përpjekjeve për mbrojtje. Sipas IUCN, popullata e saj është rritur me 28% që nga vitet 1970, duke treguar se “ruajtja funksionon kur është e koordinuar dhe afatgjatë”.

Por ndërsa disa specie po rikuperohen, të tjera po zhduken me shpejtësi. Fokat arktike dhe arinjtë polarë po përballen me pasoja fatale nga ngrohja globale dhe humbja e akullit detar. “Ndryshimi i klimës nuk është një problem i largët — ai po ndodh tani dhe po shkatërron ekosistemet polare,” paralajmëroi Dr. Keith Kovacs nga Instituti Polar Norvegjez.

Shkencëtarët kërkojnë që samiti i biodiversitetit në Emiratet e Bashkuara Arabe të sjellë masa konkrete dhe të detyrueshme për ndalimin e humbjes së biodiversitetit global.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco