Më shumë se një milion konsumatorë në të gjithë Ukrainën kanë mbetur pa energji elektrike pas një vale të re sulmesh me dronë dhe raketa nga ushtria ruse, që kanë goditur sistemin energjetik të vendit.
Sipas mediave ukrainase, të cilat i referohen raportimeve të agjencisë “Reuters” dhe autoriteteve lokale, dëmet janë të konsiderueshme dhe kanë prekur disa rajone të vendit.
Kompania private e energjisë DTEK njoftoi se vetëm në kryeqytetin Kiev, rreth 420 mijë familje janë prekur nga ndërprerjet, por furnizimi është rikthyer gradualisht në disa zona.
Autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar se sulmet ndaj infrastrukturës energjetike pritet të vazhdojnë, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për të stabilizuar situatën dhe për të riparuar dëmet.
Ky është një nga sulmet më të mëdha ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës që nga fillimi i dimrit, duke rikthyer shqetësimet për mungesë të energjisë në muajt e ftohtë që po afrojnë.
© SYRI.net